Fasonët kundër qeverisë, kërkojnë kategorizim por jo rritje të pagës minimale

20:10 | 8 Mars 2020
Arbresh Info

Përplasja e fortë në vite mes grupeve të biznesit dhe sindikatave të punëtorëve për rritjen e pagës minimale, po merr fund përmes një nisme të qeverisë e cila do të rrisë menjëherë në fillim të vitit 2021 pagën minimale nga 26 mijë në 30 mijë Lekë.

Për grupet e biznesit çështja e rritjes së pagës shihet me dyshim pasi për ta ka anë pozitive por dhe sfida të shumta.

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, thotë se sektori i bujqësisë ka vetëm 15% të fuqisë punëtore të deklaruar dhe kjo nismë mund të dekurajojë formalizimin e këtij sektori.

Koston më të lartë pritet që ta kenë bizneset e industrisë fason, të cilët konkurrojnë me rajonin me krahun e lirë të punës dhe kanë peshën më të lartë të të punësuarve në ekonomi.

Ata thonë se pagat në këtë sektor janë të larta, por i mëshojnë idesë së kategorizimit të tyre, pasi nuk mund të paguajnë me 30 mijë Lekë një punëtor të ri, ndërsa në momentin që paga e tij barazohet me punonjësin me përvojë, ky i fundit do të kërkojë rritje page.

Bizneset kërkojnë konsultim me qeverinë që rritja e pagës minimale të ndodhë, por në një formë të moderuar dhe duke kategorizuar punëtorët e duke dhënë fonde për specializimin e tyre në mënyrë që të jenë më produktivë./klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme