A është e kapur opozita? Basha-Peka-Fevziu, replika të ashpëra

01:29 | 22 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për rolin e opozitës pas zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme me votat e mazhorancës. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha ka replikuar me gazetarin Çim Peka.

Ky i fundit ka kritikuar kryedemokratin përse nuk u përgjigjet ambasadorëve Lu-Vlahutin, si dhe ka hedhur dyshime se opozita është “e kapur” dhe po bashkëqeveris me Kryeministrin Edi Rama.

Në këtë aspekt, Lulzim Basha është përgjigjur duke thënë se ka kontakte të drejtpërdrejta me ambasadorët dhe atyre u parashtron të gjitha problematikat, por këtë gjë nuk e bën publikisht.

Lulzim Basha: Komunikimi im me ambasadorët është direkt me ambasadorët, direkt i drejtpërdrejt.

Çim Peka: Po ambasadorët me ju?

Lulzim Basha: Po.

Çim Peka: Po nuk është e vërtetë mo zotëri se ambasadorët kanë dy vjet rresht…

Lulzim Basha: Nuk vijnë ambasadorët, por kur vijnë, kur i thërras qëndrimet i kam të qarta.

Çim Peka: Po ambasadorët pse nuk i bëjnë para jush, por i bëjnë publikisht? Po ambasadorët pse sillen si politikanë?

Lulzim Basha: Problemi që duhet të diskutojmë është nëse ne jemi republikë ambasadoriale. Përgjegjësinë nuk na e ka as Donald Lu as Romana Vlahutin.

Çim Peka: Kush e ka?

Lulzim Basha: Edi Rama

Çim Peka: Çfarë presioni mund të kesh në qoftë se nuk je i kapur dhe i shantazhuar, në qoftë se nuk jemi republikë ambasadorësh. Edi Rama i ka ambasadorët në xhep, është në rregull. Jemi tek opozita. Zotëri, meqënëse nuk jemi republikë ambasadorësh, dhe s’duhet të jemi republikë ambasadorësh, çfarë problemi ka opozita që thotë më futën diplomatët e huaj në zgjedhje se unë nuk hyja. E ka thënë nënkryetari i partisë.

Replika Lulzim Basha ka pasur edhe me drejtuesin e emisionit Blendi Fevziun, pasi ky i fundit e ka pyetur se si do të bindë qytetarët për të votuar opozitën, kur nga ana tjetër zyrtarë të Bashkimit Europian thonë se Qeveria Rama ka bërë me sukses reformat e kërkuara./opinion/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme