Emigrantët në Shqipëri, Xhafaj takon drejtorin e policisë Federale gjermane

16:13 | 23 Qershor 2018
Arbresh.info

Ministri Xhafaj dhe Drejtori Veliu, takime me Drejtuesit kryesore të Policisë Federale gjermane

Gjatë vizitës në Berlin, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale, Dieter Romann.

Duke vlerësuar nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit me Policinë shqiptare, Romann, u shpreh se “jam i nderuar dhe shumë i lumtur për këtë mundësi për t’u takuar dhe për të biseduar rreth temave të përbashkëta”.

Ministri Xhafaj theksoi se qëllimi i vizitës është konsolidimi më tej i marrëdhënieve të deritanishme, për t’i bërë model në rajon.

Në këtë kontekst, Xhafaj u shpreh se asistenca dhe përvoja e Gjermanisë është shumë e rëndësishme, veçanërisht nga këndvështrimi strategjik, në kushtet e procesit të reformimit të Policisë.

Në vijim, ata u ndalën tek situata aktuale lidhur me migracionin e paligjshëm dhe problemet me të cilat po përballet Policia e Shtetit në menaxhimin e kësaj situate.

Për këtë çështje, shtoi ministri Xhafaj, kam diskutuar edhe me Komisionerin e BE-së, z.Avramopoulos dhe kam kërkuar mbështetje financiare dhe logjistike nga Brukseli.

Duke marrë në konsideratë origjinën e flukseve migratore dhe rrugën që ndiqet për të depërtuar në vendet e BE-së, palët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor në menaxhimin e këtyre flukseve.

Për Gjermaninë, u shpreh z.Romann, përballimi i situatës që lidhet me migracionin është detyrë parësore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë Federale, kjo edhe e lidhur me mungesën e informacionit nga vendet e origjinës, vështirësisë në identifikimin e individëve, apo problematika të sigurisë që shoqërojnë këtë fenomen.

Lidhur me këtë çështje Drejtori Ardi Veliu u ndal tek masat që ka ndërmarrë Policia e Shtetit, veçanërisht ajo kufitare për një menaxhim sa më të mirë të regjimit të kufirit.

Ai u ndal po ashtu, edhe në mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të nevojshme për përballimin e situatave të tilla. Z.Veliu falënderoi Policinë Federale për ndihmën që i ka ofruar Policisë së Shtetit.

Z.Romann u shpreh se ishte shumë i impresionuar nga arritjet dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit.

Ai pranoi me shumë entuziazëm ftesën e Ministrit Xhafaj për të vizituar Tiranën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme