Kur Edi Rama trokiti në derën e homologut britanik në një takim që nuk kishte ndodhur kurrë në këto nivele, pakkush e besonte se mes Shqipërisë e Mbretërisë së Bashkuar në një vit do të kishte përparime të dukshme në fusha me interes të ndërsjellë.
Në kohën kur dy kryeministrat ishin ulur në këtë takim e po zotoheshin për të nisur një erë të re, shqiptarët përmendeshin nga mediat e rrjetet sociale si sfiduesit e paligjshëm të kanalit detar që lidh ishullin e Mbretërisë me kontinentin evropian.
Të dy palët politike e kishin kuptuar se kishte ardhur momenti për një qasje të re që i sjell qeveritë, vendet dhe popujt në komunikime me interes të përbashkët.
Historia solli në skenë të ashtuquajturën komunikatë të përbashkët mes dy kryeministrave Rama e Rishi Sunak me 3 qëllime:
çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (duke u përqendruar kryesisht te lufta kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm);
rritja ekonomike dhe investimet;
inovacioni, rinia dhe arsimi.
Përmes bashkëpunimit të shkëlqyer dhe operativ kemi arritur tashmë rezultate mbresëlënëse në luftën kundër krimit dhe për ndalimin dhe goditjen e migracionit të paligjshëm.
Që prej asaj kohe ngjarjet rrodhën shpejt e këtë mes Dhjetori njeriu që përfaqëson Mbretërinë e Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith i mblodhi bashkë në rezidencën e tij, shqiptarë e britanikë për të kremtuar një vit që nga lindja e komunikatës së përbashkët mes dy vendeve.
“Dua t’ju përgëzoj për reduktimin me 90 për qind të mbërritjeve të paligjshme të shtetasve me kombësi shqiptare në Britaninë e Madhe, pasi nga 12 mijë persona që u regjistruan vitin e kaluar ka shkuar në 1 mijë persona gjatë viti 2023. Kjo tregon edhe për bashkëpunimin e madh edhe në fushat e tjera që shumë [nga ju në këtë sallë] keni bërë për të arritur këtë sukses. Ne kemi arritje edhe ne fusha të tjera. Nuk do ta kisha menduar që pas firmosjes së marrëveshjes së 13 dhjetorit 2022 do të kishim bashkëpunim aq shpejt edhe në fusha të tjera. Në maj të këtij viti firmosëm marrëveshjen tjetër në fushën e burgjeve dhe drejtësisë. Jam shumë i kënaqur për bashkëpunimin që disa nga ekspertët më të mirë britanikë në sistemin e burgjeve po japin për modernizmin e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Jam gjithashtu i kënaqur që dorëzova një numër të madh automjetesh në ndihmë të sistemit të burgjeve ne Shqipëri,” tha ambasadori King-Smith.
Nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, drejtues të policisë së shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, përfaqësues të agjencive të sigurisë, përfaqësues nga shtete të tjera partnere strategjike me Shqipërinë, partnerë të Britanisë së Madhe në Tiranë nga media dhe shoqëria civile e ndanë kohën bashkë në rezidencën e ambasadorit për biseda të shkurtra e të gjata.
Ndërsa ambasadori britanik fliste, në krah kishte ministrin Balla, të cilin e përgëzoi për çfarë policia shqiptare ka arritur, madje ambasadori britanik tha se Shqipëria është partneri më i mirë operacional për Britaninë.
Në Shqipëri, “çunat e Londrës”, më shumë se fjali e përdorur me shaka edhe nga kryeministri Rama, u kthyen në fenomen viral, ndaj kur e pyeta Ministrin e Brendshëm se si e sheh pas një viti bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e luftës kundër migracionit të paligjshëm u përgjigj.
“Dua t’i them kujtdo që mendon se duke shkuar në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë atje. Besoj që shembujt e këtij një viti janë të mjaftueshme që sot në Britani nuk mund të shkosh më në mënyrë të paligjshme, sepse çdo qytetar shqiptar do të rikthehet. Kemi shumë raste të personave që kanë rënë pre e këtyre grackave të ngritura nga trafikantët, që kanë shkuar atje dhe janë kthyer brenda pak ditësh në Tiranë pasi harxhuan shumë të konsiderueshme parash. Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt dhe nuk ka asnjë lloj shansi për të marrë azil apo leje qëndrimi atje. ndërkohë për arsye të bashkimit familjar, për arsye të tjera, emigrimi i ligjshëm është shumë i mundur. Qytetarët e Kukësit, për shembull, nuk kanë nevojë të vijnë në Tiranë për të bërë aplikimin, por mund të aplikojnë atje për të shkuar për arsye turistike, vizita familjare dhe mendoj që ilaçi më i mirë i emigracionit të paligjshëm mbetet emigracioni i ligjshëm,” u shpreh Balla.
Si përfaqësues politik i nivelit më të lartë të qeverisë shqiptare, z. Balla është i vetëdijshëm për sfidat që qeveria ka me të rinjtë.
Të dhënat tregtare për shkëmbimet mes dy vendeve tregojnë se niveli i eksport-importeve është rritur gjatë vitit 2023./rtsh.al/
Deklarata e Drenushës për Xhenetën, shkakton debat të zhurms...
Slot në afër thyerjes së një tjetër rekordi në Premier Leagu...
Xhemaili, AAK për presidenten: “New sheriff in town...
`Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve në Kosovë`, prezentohet met...
“A je ardh me i dhanë lajmet a çka” – Drenusha ‘kapet’ me Ro...
Rama: 21-30 Nëntor, Java Kulturore Kombëtare, Shqipëri ̵...