Ekzekutohet Everest Çaka, plagoset edhe gruaja

00:22 | 12 Maj 2021
Trina Galanxhi

Personi në këtë foto është 41-vjeçari Everest Çaka, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e së martës në Elbasan në sy të bashkëshortes së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 20 e 10 minuta në lagjen “Skënderbe”, teksa 41-vjeçari i cili njihej edhe me emrin Ibrahim Çaka ishte duke udhëtuar me këtë automjet tip Opel së bashku me bashkëshorten e tij Silvana Çaka.

Në rrethana ende të paqarta autorët i kanë prerë rrugën dhe e kanë qëlluar Çakën brenda në makinë, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij, e cila mësohet se ka marrë një plagë në dorë dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Autorët e atentatit duket se kanë studiuar mirë situatën, pasi rruga që kanë zgjedhur për të kryer atentatin është e pandriçuar dhe pa kamera sigurie, çka vështirëson zbardhjen e ngjarjes.

Shërbimet e Policisë bënë rrethimin e zonës, si dhe ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet në qytetin e Elbasanit.

Rreth dy orë pas ngjarjes policia gjeti të djegur plotësisht në fshatin Kryemëdhenj një automjet tip Mercedez Benz pa targa, i cili dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

Pista kryesore ku po hetohet është ajo e larjes së hesapeve, pasi viktima ishte një person me precedent penal si dhe kishte lidhje të afërta me persona të njohur të botës së krimit në Elbasan. Ai ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur rreth 11 vite më parë tek zona e Doganës në Elbasan.

Gjithashtu Everest Çaka, është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, u qëlluan me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti.

Gjithashtu viktimës i kanë vrarë vite më parë vëllain në Barcelonë, ndërsa ai është djali i tezes së Arjan Spahiut i ekzekutuar në Nëntorin e vitit të kaluar në Belgjikë. Ky i fundit gjithashtu ishte kunati Erion Alibejn, i cili ndodhet pas hekurave për organizimin e disa vrasjeve./tvklan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme