Atentati ndaj një 38-vjeçari shqiptar në plazhin e Torvaianica në periferi të Romës vijon të jetë në qendër të vëmendjes të medieve italiane. Selvadi Shehaj u qëllua të dielën me 2 plumba në plazh nga një person ende i paidentifikuar. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e së martës në spital. Për shkak se Shehaj sapo ishte liruar në arrest shtëpie pasi kishte bërë 2 vjet e gjysmë burg për trafik droge (iu gjetën 5 kg marijuanë) të gjitha hetimet janë përqendruar në këtë drejtim dhe dosjen e ka marrë në dorë anti-mafia e Romës. Në një analizë të gjatë të ekspertit dhe juristit italian Vincenzo Musacchio në mediat vendase thuhet se klanet mafioze shqiptare tani nuk mund të nënvlerësohen pasi kanë marrë në dorë aktivitetet kriminale në kryeqytetin italian.
“Të shtënat në plazh që ndodhën të dielën e 20 shtatorit, për ata që studiojnë fenomenin e mafies, kanë një kuptim qartë: “udhëheqja kriminale në Qytetin e Përjetshëm (Romë) po kalon te klanet shqiptare”. Stili kriminal është pjesë e ekzekutimeve klasike dhe fanatike. Vrasësi shkoi tek i sapodali nga deti, e qëlloi në shpinë, i dha goditjen e fundit me qetësi dhe më pas u largua nga plazhi, ku plasi shqetësimi në një panik të përgjithshëm, me një motor që e priste. Vrasja ndodhi jo rastësisht para një turme. Sinjali është i qartë: “Tani ne jemi shefat dhe kush bën një gabim, vdes dhe ta shohin të gjithë se si!” – shkruan eksperti italian, citon lapsi.al.
“Kushdo që ka dyshime duhet ta dijë që Roma është tani një territor mafioz i kontrolluar kryesisht nga mafia shqiptare. Nuk është më një territor ku para se të vrisnin shqiptarët duhet të kërkonin leje. Pas boshllëqeve të fundit në kupolën e Mafias, sot shqiptarët mund të derdhin gjak dhe të mos kenë frikë nga pasojat brenda klaneve, apo nga kryengritja e qytetarëve dhe vëmendja e medias. Shqiptarët përdorin metodat e vjetra dhe fillimisht shënojnë territorin e tyre me armë dhe dhunë. Tani Roma vërtet rrezikon dominimin e kësaj mafieje të re” – thotë eksperti italian që parashikon një sezon të ri dhune për shkak të reagimit të klaneve italiane që nuk do të pranojnë hegjemoninë e re të shqiptarëve.
Juristi italian thotë se grupet e mëdha mafioze si Ndrangheta, Camorra dhe Cosa Nostra ua kishin lënë klaneve më të vogla administrimin e Romës. Kohët e fundit pati lëvizje te këto të fundit duke krijuar boshllëk dhe të vetmit që mbijetuan janë shqiptarët.
“Mafia shqiptare është bërë shumë e fuqishme falë prodhimit dhe trafikimit të drogës në të gjithë Evropën. Pas viteve të pranisë dhe aleancave në territorin e Romës, fuqia e tyre është forcuar në mënyrë të konsiderueshme. Urdhrat për ekzekutime të tilla vijnë direkt nga Tirana nga ku menaxhohen sheshet e mëdha të Romës, furnizohen dhe kontrollohen ngarkesat” – thotë Musacchio që nënvizon se klanet mafioze të jugut, kalabrezët dhe siçilianët nuk hynë në përplasje shqiptarët, por bënë pakte me ta.
“Tani duhet ta pyesim: “A do të vazhdojnë ende këto pakte?” Roma tani është në fakt toka e mafies shqiptare. Në të vërtetë, të mafive shqiptare të përziera me ato italiane. Le të mos harrojmë se aftësitë kriminogjene të kësaj mafie janë mbresëlënëse, pasi ato arrijnë të ndërthurin karaktere “tradicionale” (disiplinë e brendshme e ngurtë, mbyllje ndaj palëve të treta, papërshkueshmëri, besueshmëri dhe potencial i lartë frikësimi) me elemente “moderne” (transnacionalitet, ngritje ekonomike dhe kontakte të ngushta me politikën).
Fuqia e tyre ekonomike dhe ushtarake vjen pothuajse tërësisht nga trafiku i drogës. Sipas DIA, krimi i organizuar shqiptar mbetet një nga organizatat e huaja më aktive, të rrezikshme dhe të degëzuara në Itali (Raporti i DIA, 2018) përtej operacioneve të shumta dhe të rëndësishme policore (pothuajse të gjitha anti-drogë) të përfunduara në 2018 dhe në vitin 2019 me arrestime dhe sekuestrime.
Sot, fatkeqësisht, ajo që kam shkruar mbi 3 vjet më parë del e vërtetë, kur theksova rrezikun e mafies shqiptare dhe thashë që në Romë ata nuk ishin vetëm një fenomen kalimtar. Ditët e fundit ne kemi kuptuar, në kurriz tonë, që ata zënë një rol qendror në shahun e krimit të organizuar romak” – thotë Vincenzo Musacchio, jurist, profesor i së drejtës penale, bashkëpunëtor në Institutin Rutgers për Studime Kundër Korrupsionit (RIACS) në Neëark (SHBA), studiues në Shkollën e Mesme të Studimeve Strategjike mbi Krimin e Organizuar të Institutit Mbretëror të Shërbimeve në Londër./lapsi/
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...