Ana Maria Oviedo, Ekonomiste e Lartë, e cila mbulon çështjet e varfërisë për Rajonin dhe Shqipërinë, tha se rritja ekonomike në dekadën e fundit është bërë më pak produktive në reduktimin e varfërisë.
Sipas saj, midis vitit 2002 dhe 2008, rritja ekonomike prej 1% të PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë me 1.2%. Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes së varfërisë ra.
Një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm në një ulje të varfërisë prej 0.8%. Në intervistën për “Monitor”, ajo dha disa rekomandime për uljen e fenomenit.
Shqipëria kishte rënien më të ulët ekonomike pas Serbisë në rajon në vitin 2020, por nga ana tjetër, gjatë pandemisë, numri i të “varfërve të rinj” u rrit më shumë se në çdo vend tjetër. Pse po ndodh kjo?
Banka Botërore ka vlerësuar ndikimet e mundshme të pandemisë së COVID në varfëri, bazuar në të dhënat historike, rënien e PBB-së në vitin 2020 dhe masat që morën qeveritë në të gjithë rajonin, sepse nuk ka ende një numër zyrtar për nivelin e varfërisë në Shqipëri, ose ndonjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor për vitin 2020.
Në Shqipëri, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 3.3% më 2020, një tkurrje tre herë më e madhe se në Serbi. Për më tepër, Serbia zbatoi një paketë shumë të madhe stimuluese fiskale, e cila lehtësoi në mënyrë të konsiderueshme krizën. Banka Botërore ka vlerësuar se varfëria në Shqipëri mund të ishte rritur me rreth 1 pikë përqindje (28,000 të varfër të rinj) nëse merret parasysh lidhja historike ndërmjet rritjes së PBB-së dhe uljes së varfërisë.
Ndikimi është më i madh se, për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por më i vogël se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Bazuar në simulime më konservatore që supozojnë humbje të mëdha të të ardhurave gjatë periudhës së mbylljes prej pandemisë, ndikimi i vlerësuar mbi varfërinë mund të jetë më i lartë (deri në 3.9 pikë përqindje, ose rreth 111 mijë të varfër të rinj).
Këto rezultate tregojnë një gamë të gjerë të ndikimeve të mundshme të varfërisë. Arsyeja kryesore është se një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare jeton me të ardhura për frymë afër kufirit të varfërisë prej 5.5 dollarësh në ditë. Për këtë arsye, ndryshime të vogla në të ardhura mund të gjenerojnë efekte të mëdha në varfëri.
Banka Botërore, në raportin e fundit rajonal, analizoi se midis 2014 dhe 2019 varfëria ra më ngadalë, me rreth 1 pike përqindje në vit, pavarësisht se rritja mesatare vjetore e PBB-së ishte 3%. A po vuan Shqipëria nga një shpërndarje e pabarabartë të rritjes ekonomike?
Ulja e varfërisë iu përgjigj më pak rritjes ekonomike që nga viti 2014, krahasuar me periudhën e parakrizës. Midis vitit 2002 dhe 2008, rritja ekonomike prej 1% të PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë me 1.2%. Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes së varfërisë ra. Një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm në ulje të varfërisë prej 0.8%.
Në kontrast me periudhën parakrizës, ku të varfrit përfituan nga rritja e fortë e pagave, veçanërisht për punë me aftësi të ulëta, që nga viti 2014, varfëria u ul kryesisht për shkak se më shumë njerëz të varfër ishin të punësuar, por jo se të punësuarit po merrnin fitime më të larta.
Sidoqoftë, fitimet nga punësimi në mesin e punonjësve me aftësi të ulëta nuk kanë qenë të mjaftueshme për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme për familjet e varfra, në mënyrë që varfëria të zvogëlohej më shpejt.
Çfarë politikash duhet të aplikojë vendi që të sjellë treguesin e varfërisë në trend rënie?
Varfëria në Shqipëri është e lidhur ngushtë me nivelin e arsimit të kryefamiljarit, numrin e anëtareve të familjes, punësimin midis të rriturve dhe kushtet e strehimit. Në këtë drejtim, politikat që ulin boshllëqet në këto drejtime ka të ngjarë të kenë ndikim pozitiv në uljen e varfërisë.
Investimi në aftësitë e të rinjve (nëpërmjet arsimit) dhe të rriturve (nëpërmjet programeve të tregut të punës); rritja e ndihmës sociale për fëmijët dhe të rriturit e moshuar në varfëri; lehtësimi i gjenerimit të punësimit sidomos në qytetet e vogla dhe zonat rurale, si dhe përmirësimi i strehimit dhe shërbimeve sociale, do të krijonin përmirësime të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës për të varfrit dhe do të siguronin ulje të qëndrueshme të varfërisë me kalimin e kohës, duke rritur të ardhurat nga puna të njerëzve./monitor/
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...