Ekonomia gjatë 2023 në Shqipëri, vit i mbarë për arkën e shtetit, por jo për xhepat e shqiptarëve

22:31 | 2 Janar 2024
D.H

Është i pamohueshëm fakti që 2023 ishte një vit i mbarë për ekonominë. Pas disa goditjeve të njëpasnjëshme nga brenda e jashtë, më në fund vendi kaloi një vit më të qetë.

Flobens Dilaveri, ekspert për ekonominë, shprehet për A2 CNN: “Më në fund, ekonomia përjetoi një vit normal. Pra, pa pandemi, pa tërmete e pa tensione me ndikim direkt gjeopolitik. Kjo i dha një lloj frymëmarrje ekonomisë në tërësi dhe aktorëve të tjerë në veçanti”.

Por, po aq i pakundërshtueshëm është edhe fakti tjetër: 365 ditët e lëna pas nuk ishin të lehta për shqiptarët.

Ne vetëm krizë ndiejmë. Çmimet rriten, çdo gjë bëhet e papërballueshme. Të ardhurat tkurren se harxhojmë më shumë. Rrogat janë në vendnumëro. Me të ardhurat që marr thjesht mund të hash bukë dhe të pish një kafe. Pagat janë të ulëta dhe mendimin e kam të iki jashtë. Synoj Gjermaninë”, thonë qytetarët.

Ndërsa Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, shprehet: “Unë kam bërë një përshkrim me një titull: Ekonomia e 2023-shit ishte si dielli që shkëlqen, por nuk ngroh”.

Ashtu si gjatë vitit 2022, edhe këtë vit hynë në buxhet para si kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se deri në fund të nëntorit u arkëtuan plot 586,4 miliardë lekë. Në raport me vitin 2022, të ardhurat u zgjeruan me gati 63,5 miliardë lekë apo 12,1% në raport me një vit më parë.

Flobens Dilaveri thekson: “Rritja ka ardhur kryesisht nga tatim-fitimi i bizneseve dhe tatimi mbi të ardhurat personale të individëve. Duhet ta pranojmë që procesi i fiskalizimit të bizneseve ka dhënë kontributin e vet. Nga ana tjetër, ka pasur një performancë disi më të mirë edhe të administratës publike”.

Ndonëse me ritme të ngadalta, ekonomia u rrit mesatarisht me 3,14% deri në fundin e shtatorit. Prodhimi i Brendshëm Bruto ndoqi një trajektore në zgjerim nga 3-mujori në 3-mujor.

Eduart Gjokutaj thotë: “Thënë në mënyrë të përmbledhur, ekonomia gjatë vitit 2023 tentoi të avancojë dhe deri diku arriti, por pa mundur të sigurojë një zhvillim gjithëpërfshirës”.

Elton Haxhi, ish-zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, deklaron: “Nuk është se kishte ndonjë surprizë të madhe. Bumi i turizmit reflektoi një rritje milimaliste, më pak nga pritshmëritë.

Ndërsa sipas ekspertit të ekonomisë Eugen Musta, “GDP-ja, matësi kryesor i zgjerimit të ekonomisë, nuk është domosdoshmërisht treguesi i mirëqenies. Ajo tregon vetëm vlerën e të mirave materiale të prodhuara në një vend, në një hark kohor të caktuar”.

Ndryshe nga sa ndodhi në gjysmën e parë të vitit, rritja në harkun e muajve korrik-shtator u udhëhoq nga rritja e pagave në administratën publike dhe investimet e qeverisë, pasur nga ndërtimi bashkë me agjencitë imobiliare dhe informacioni dhe komunikimi.

Duhet parë dhe analizuar se nga vjen kjo rritje. Cilët janë ata sektorë që po performojnë mirë. Kjo na bën të kuptojmë pastaj se çfarë të presim për mirëqenin e njerëzve”, shtoi Eugen Musta.

Teorikisht, kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithëpranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por, rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët. Ja si shprehen ata: “Arka e shtetit mund të jetë mbushur, por jo xhepat tanë. Kriza e çmimeve po na merr edhe ato pak para që arrijmë të grumbullojmë gjatë vitit. Nuk besoj se viti tjetër do të jetë më i lehtë”.

Por, pse nuk përkthehet rritja ekonomike në më shumë mirëqenie për shqiptarët? Eduart Gjokutaj jep përgjigjen: “Sepse arka e shtetit fryhet pikërisht nga taksat që individët paguajnë. Pra, qytetarët kur paguajnë më shumë taksa, rrjedhimisht ata do të kenë më pak para në xhepa. Kjo i bën ata më të brishtë përballë krizave”.

Ndërsa Flobens Dilaveri thekson: “Sepse rritja vjen nga sektorë ku nuk ka shpërndarje në popullatën e gjerë. Plus, duhet të shtojmë që edhe politikat e qeverisë nuk është se kanë qenë me ndonjë karakter social domethënës”.

Sipas Eugen Mustës, “të ardhurat ngecin te përfituesit e mëdhenj”: “Nuk kemi tejçim të parave te shtresat e tjera. Kjo për shkak se vetëm 3 nga 12 degët e ekonomisë kanë performancë të mirë”.

Për shkak edhe se rritja ekonomike nuk shpërndahet, qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë mendojnë se ekonomia nuk po shkon mirë. Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, ra me 1,6 pikë në nëntor.

Pavarësisht shifrave rekord të turistëve edhe jashtë sezonit veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketet, baret e restorantet ra me 4,4 pikë. Kjo pasi sipërmarrjet në këtë sektor i frikësohen rënies së kërkesës për konsum, shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve.

Suzana Guxholli, eksperte për ekonominë, shprehet: “Besimi në ekonomi është një nga treguesit kryesorë që tregon se si politikat dhe reformat e ndërmarra janë reflektuar te qytetari dhe biznesi. Rënia e këtij treguesi shfaq haptazi krizën në të cilën gjendemi, që shohim dhe ndiejmë përditë. Tregu është ai që i jep drejtim ecurive ekonomike dhe njëkohësisht gjendjes sonë financiare, xhepave tanë apo të bizneseve”.

Për të tretin muaj me radhë, edhe bizneset në sektorin e tregtisë u shfaqën më pesimiste. Treguesi i besimit në ekonomi nga sipërmarrjet në këtë sektor ra me 1,7 pikë. Çmimet e larta që rrjedhimisht po sjellin më pak konsum, po ulin xhirot te bizneset në këtë sektor. Të frikësuar nga një rritje e mëtejshme e çmimeve, me të ardhurat në vendnumëro, edhe qytetarët janë shprehur më pesimistë në nëntor. Besimi i qytetarëve në ekonomi në nëntor ra me 0,7 pikë, duke regjistruar kështu nivelin më të ulët në një vit. Rënia e kërkesave për eksport nga njëra anë dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para uli me 0,6 pikë edhe besimin e bizneseve në sektorin e industrisë.

Kjo pasi ne kemi një ekonomi të pastrukturuar, kaosi fiskal që ne kemi krijuar prej vitesh na krijon edhe këto lëkundje që shkojnë përtej logjikës ekonomike. Skepticizmi ndaj gjendjes financiare nuk është një fenomen vetëm vendas. Në prag të dimrit, edhe qytetarët e bizneset në vendet europiane janë më pak optimiste. Por, ajo që e dallon Shqipërinë nga shtetet e tjera është hendeku i madh që krijohet kaq shpejt mes optimizmit dhe pesimizmit. Kjo u vërtetua më së miri gjatë nëntorit, ku besimi në ekonomi ra me ritmet më të shpejta të këtij viti”, shprehet Guxholli.

Me gjithë ecurinë e mirë në drejtim të mbledhjes së më shumë të ardhurave dhe zhvlerësimit të euros me ritme gati jonatyrale, qeveria nuk i shfrytëzoi këto avantazhe për të shlyer borxhin e jashtëm… përkundrazi, e zgjeroi. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se nga më pak se 9,8 miliardë euro në fundin e vitit të shkuar, detyrimet e marra në institucionet financiare ndërkombëtare u rritën në më shumë se 10,1 miliardë euro në fund të shtatorit.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve, 4,9 miliardë apo gjysma e totalit, janë marrë nga qeveria. Pjesa tjetër është në kurriz të bankave tregtare dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Pavarësisht se borxhi i jashtëm zgjerohet, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregon se vitin e ardhshëm treguesi të zbresë në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por, problemi më i madh i vendit nuk është borxhi publik. Shqipërisë po i shterojnë burimet e rritjes ekonomike. Më shumë se 66% e zgjerimit të ekonomisë po vjen nga ndërtimi dhe shitblerja e pronave, ndërsa degët e tjera si industria e bujqësia prodhuan edhe më pak para se një vit më parë.

Eduart Shalsi, kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, deklaroi: “Përveç turizmit, i cili po jep një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, bashkë me ndërtimin dhe tregtinë ne na duhet që edhe sektorë të tjerë të kontribuojnë në rritjen ekonomike. Pra, përgjigja është po. Na duhen edhe burime të tjera ku të mbështetet ekonomia”.

Në një kohë që shtetet e tjera po nxitojnë të gjejnë modele të reja zhvillimi, ndonëse me ritme më të ngadalta, edhe Shqipëria po bën përpjekje për të shkuar te digjitalja.

Transformimi digjital është ai që na duhet. Ato mund të ruajnë një rol si në bujqësi apo turizëm e diku tjetër duke shtuar vlerë duke shtuar vlerë”, shtoi Shalsi.

Por, për aktorë të tregut, këto pritshmëri nuk mund të arrihen pa ndihmën e institucioneve financiare në vend. Fabiola Duro, sipërmarrëse në fushën e inovacionit, shprehet: “Është jetike mbështetja financiare, veçanërisht për aktorët e vegjël, por edhe ata të mesëm që duan të zgjerohen”.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, për të krijuar një model të ri ekonomik, Shqipëria duhet të investojë te të rinjtë, me qëllim krijimin e burimeve njerëzore të përshtatshme me sistemin e avancuar financiar.

Ndonëse ndjeshëm më i qetë se viti 2022, edhe viti i lënë pas shqetësoi jo pak kredimarrësit shqiptarë. Pas Rezervave Federale Amerikane, Bankës Qendrore Europiane edhe Banka e Shqipërisë zbatoi “marrëveshjen e pashkruar” për të mos rritur më tej normat e interesit në prag të fundvitit. Vendimmarrja e institucioneve më të larta monetare vjen në një kohë që inflacioni vijon të përcjellë sinjale frikë.

Edision Zaçaj, pedagog ekonomie, thotë: “Pasojat e luftës po vazhdojnë e po ndihen duke bërë që kriza të zgjasë edhe në vijim”.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës së çmimeve, Banka Qendrore rriti me dy herë normën bazë të interesit për lekun këtë vit, në mars dhe fillimmuajin e shkuar. Ilaçi i hidhur, por i domosdoshëm, ka kuruar disi inflacionin. Treguesi është gati përgjysmuar në raport me fillimvitin, duke iu afruar objektivit 3%.

Jemi ende larg stabilizimit të kërkesës me ofertën. Duke qenë se të vetmin element që bankat kanë është rritja e normës bazë të interesit, me inflacion tepër të lartë besoj se dhe këtë vit që vjen do të kemi vendimmarrje të ngjashme”, tha Zaçaj.

Si pasojë edhe e rritjes së normave të interesit, ekonomia e vendit do të rritet më ngadalë. Nga ana tjetër, edhe nga xhepat e shqiptarëve do të vijojë të dalin më shumë para, duke theksuar më tepër varfërinë. Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë këshillojnë që qeveria, me mjetet që ka në dispozicion për të nxitur ekonominë, duhet të ndjekë ritmin. Të krijojë një mjedis pozitiv e të drejtë për të bërë biznes, të kapë momentin e turizmit, duke përshpejtuar investimet në infrastrukturë, të nxisë investime të huaja me vlerë të shtuar të lartë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme