Efektivët e tërheqin zvarrë dhe e përplasin në tokë të riun, policia e Durrësit reagon për ngjarjen

17:28 | 13 Gusht 2019
Arbresh Info

Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me një ngjarje të publikuar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale, ku përmes një videoje tregohej sesi një i ri përplasej në tokë nga policia e cila i vuri prangat.

Drejtoria vendore e policisë së Durrësit ka sqaruar se personi në fjalë, i identifikuar me inicialet S.M ka kundërshtuar forcat e policisë në momentin e kontrollit të kërkuar nga efektivët. Sipas policia, në momentin e shoqërimit me forcë policia i ka kryer dhe testin e alkoolit dhe ka rezultuar se i riu ishte në gjendje të dehur në makinë. Së bashku me të është shoqëruar dhe pasagjeri.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale ku paraqitet një shtetas, i cili është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit  të Policisë Durrës, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë, në zbatim të detyrave funksionale kanë ndaluar shtetasin S.M., për të kryer verifikim të dokumentacionit të mjetit.

Shtetasi i mësipërm nuk i është bindur urdhërit të punonjësve  të policisë për  të treguar dokumentacionin e mjetit, por i ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe pasagjeri në mjet, shtetasi R.T.,  ka kundërshtuar punonjësit e policisë për t’i ardhur në ndihmë drejtuesit të mjetit me qëllim që drejtuesi i mjetit të mos kryente testin e alkoolit dhe të shmangte verifikimin e dokumentacionit të mjetit.

Në vijim të dy shtetasit janë shoqëruar forcërisht në ambientet e Komisariatit të Policisë, pa ushtruar në asnjë moment dhunë fizike ndaj tyre.

Drejtuesit të mjetit i është bërë testi i alkoolit nga punonjësit e qarkullimit rrugor dhe u konstatua se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit 0.38 mg/l.

Konform procedurave ligjore shtetasi S.M., (drejtuesi i mjetit) është proceduar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe i është pezulluar leja e drejtimit.

Gjithashtu edhe shtetasi R.T., (pasagjer në mjet) është  proceduar për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik “.

Policia e Durrësit është e angazhuar në zbatim të ligjit me qëllim, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për të   krijuar  një ambient shoqëror sa  më të sigurtë dhe fton cilindo që konstaton abuzim me  detyrën  nga ana e punonjësve të policisë që të telefonojë në numrin 112, apo  në numrin 0800 90 90 , si dhe të dërgojë imazhe në Komisariatin Dixhital,  duke ju garantuar anonimat të plotë dhe  një reagim të shpejtë e të paanshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme