Edi Rama nesër vizitë zyrtare në Itali

09:23 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të zhvillojë ditën e mërkurë më datë 11 tetor një vizitë zyrtare në Itali.
Ai do të pritet në Romë nga kryeministri italian Paolo Gentiloni.

Zyra e shtypit e kryeminstrisë italiane ka konfirmuar se rreth orës 14.30 të datës 11 tetor, dy kryeministrat Gentiloni e Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi.

Vizita e kreu të qeverisë shqiptare në Romë shënon takimin e parë me kryeministrin italian Paolo Gentiloni, në mandatin e tij të ri si kryeministër.

Vizitën e parë zyrtare në Romë si kreu i qeverisë shqiptare, kryeministri Rama e ka zhvilluar 4 vite më parë më dhjetor të 2013 në takimin me ish kryeministrin italian Enrico Letta.

Italia mbetet një nga mbështetësit kryesor të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e ky takim zhvillohet në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Partneriteti strategjik mes dy vendeve, marrëdhëniet ekonomike e projektet e përbashkëta, kërkesa e shtimit të numrit të investitorëve italianë në Shqipëri, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar e trafiqeve ilegale, çështja e sigurisë kundër rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar, situata në Ballkan e problematika të aktualitetit europian e botëror, pritet të jenë disa nga tematikat e takimit dy palëshe mes Gentilonit e Ramës./oranews.tv

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme