Google ADS

Edi Rama ftesë për dialog opozitës, e nis me Bashën, ja letra

15:10 | 18 Shtator 2019
Arbresh.info

Edi Rama iu rikthye letrave publike për opozitën jashtëparlamentare, por ndryshe nga të shkuarat krahas Lulzim Bashës ai i drejtohet edhe 6 krerëve të partive aleate, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu.

Kryeministri i kërkon drejtuesve opozitarë të harrojnë për një moment kundërshtitë politike në mënyrë që të nisin sa më parë dialogun pa kushte për reformën zgjedhore

“Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, shprehet Rama.

Ftesa publike për opozitën jashtëparlamentare erdhi pasi prezenca e OSBE në bashkëpunim të bashkëkryetarëve të reformës zgjedhore ftoi opozitën jashtëparlamentare në një tryezë diskutimi të mërkurën e 25 shtatorit. Lulzim Basha nuk mohoi mbërritjen e ftesës në selinë blu, por edhe pse la një shteg hapur ai nuk u duk optimist për zgjidhjen e krizës.

“Po t’i shikojmë ftesat se ftesat bëhen javë për javë. Do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë, zgjidhja e krizës politike është prioriteti ynë. Natyrisht jemi të angazhuar edhe për reformën zgjedhore. Por, askush të mos ketë iluzione se zgjidhja e krizës politike kërkon shumë më shumë se sa një tryezë tjetër”, tha Lulzim Basha.

Reforma zgjedhore po shihet nga ndërkombëtarët si shtysë për nisjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare. Prezenca e OBSE-së ishte zëri i dytë ndërkombëtar pas Bashkimit Europian që kërkoi bashkëpunimin e gjithë aktorëve politike./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme