Edhe Shqipëria kërkon ndihmë nga NATO për shuarjen e zjarreve

22:11 | 18 Korrik 2017
Arbresh.info

Edhe Shqipëria, ashtu si disa vende të rajonit ka kërkuar ndihmën e NATO-s kryesisht me helikopter për shuarjen e vatrave të zjarrit që janë në zona të ndryshme malore pa rrugë kalimi.

Një fakt i tillë është bërë i ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, i cili bashkë me Shefin e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi inspektuan situatën në fshatin Gajtan të Shkodrës, zonë ku është aktivizuar një vatër e madhe zjarri dhe po ndërhyhet me helikopter, shkruan TopChannel.

“Jemi në lidhje me të gjitha strukturat e NATO-s. Kemi bërë kërkesat tona dhe po presim që një pjesë e kërkesave të realizohet. Jemi në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Greqinë. Është një situatë që ka përfshirë gjithë Ballkanin. Shumica e zonave ku ka rënë zjarri janë zona të paaksesueshme”, deklaroi ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh se aktualisht janë 6 vatra zjarri në gjithë vendin, tre në Shkodër, një në Tiranë, një në Krujë e një në Lezhë. Sipas Prençit, situata për momentin në gjithë vendin është nën kontroll dhe nuk rrezikohet asnjë banesë dhe asnjë jetë njeriu.

“Në përgjithësi situata është nën kontroll. Ka patur shumë vatra zjarri, sidomos në Dibër, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Elbasan”, tha ai.

Ndërkohë, në zonën e Gajtanit në Shkodër, ku janë përfshirë nga flakët me dhjetra hektarë pyje e shkurre në një terren të vështirë malor është duke u ndërhyre me dy helikopterë nga ajri dhe flakët janë duke u vënë nën kontroll.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme