Në lidhje me protestën e opozitës që do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë e organizuar nga opozita ka reaguar edhe kreu i lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima.
Ai del në mbështetje të kauzës së saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, madje specifikon edhe disa kërkesa që duhet të përmbushen nga mazhoranca në zgjedhjet e qershorit.
Reagimi
“ZGJIDHJA” mbështet protestën e opozitës në Tiranë për zgjedhje të lira e të ndershme. Ajo është shprehje e lirisë dhe e demokracisë që vendi ka arritur si dhe një e drejtë e garantuar në kushtetutë. Protestat që kanë si pikësynim respektimin e votës se lirë dhe të ndershme në Shqipëri ka qenë, janë dhe do të jenë kurdoherë të mirëpritura për “Zgjidhjen”. Vota e lirë është baza e një shoqërie të drejtë dhe të përparuar. Ashtu siç opinioni publik mbështeti protestën masive të opozitës socialiste më 2009 për rinumërimin e votave, po me atë vrull qytetar opinioni publik duhet të mbështesë protestën për organizmin e zgjedhjeve të ndershme sot. Pas më shumë se një çerek shekulli vjedhjesh dhe trafikimi të votave, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë që t’i jepet fund kësaj katrahure kombëtare me zgjedhjet e manipuluara. Partia “Zgjidhja” kërkon që zgjedhjet të shtyhen në tetor me qëllim që të zhvillohet votim dhe numërim elektronik si në të gjitha vendet e botës së qytetëruar. “Zgjidhja” kërkon që votat t’i numërojë një administratë e paanshme zgjedhore shtetërore dhe jo komisionerët e partive që kanë ushtruar dhe ushtrojnë pushtet. “Zgjidhja” kërkon reformë zgjedhore që të zgjidhë përfundimisht pastrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Asnjë forcë nuk do mundet ta ndalojë edhe për shumë kohë të tjera popullin shqiptar të fitojë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe të drejtën e pamohueshme për të qenë zotëruesi i vetëm i sovranitetit të Shqipërisë. Por, sado i drejtë dhe legjitim qoftë mobilizimi i opozitës për zgjedhje të pacenuara, protesta e sotme duhet të jetë mbi të gjitha paqësore. Duke evituar çdo shkarje në dhunë të panevojshme protesta për votën e lirë mund të lartësohet si një far shpresëdhënës për pjekurinë e demokracisë shqiptare. Një protestë paqësore do të mund t’i tregojë mbarë botës se në Shqipëri nuk ka më vend për shthurje të rendit publik dhe kaos. Një protestë e civilizuar sot, ashtu siç e shpresojmë dhe siç e presim, do t’ja lërë një herë e përgjithmonë historisë vitin 1997, njollën e madhe të turpit të politikës së vjetër shqiptare. Me maturinë dhe me forcën e rezultateve që ajo do të korrë paqësisht, kjo protestë ka shansin e madh historik që të bëhet një mësim për brezin e politikanëve të sotëm duke u treguar se çdo mosmarrëveshje politike mund dhe duhet ta zgjidhim me dialog dhe me mjete demokratike./Arbresh.info/
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...