Pasi u fut ilegalisht në Dover në një kamion, Elidon Habilaj deklaroi se ishte nga Kosova, në atë kohë e rrënuar nga lufta. Në të vërtetë, ai ishte nga Shqipëria, por arriti të përfitonte azilin duke përdorur një emër fals.
Pasi arriti t’ia hidhte autoriteteve britanike dhe fitoi të drejtën për të qëndruar, 40-vjeçari mund të kishte mbajtur një profil të ulët, por nuk ndodhi kështu. Me anë të mashtrimit, ai arriti të punësohej në “FBI-në britanike” duke gjurmuar personat në kërkim, derisa u zbulua dhe e gjeti veten në arrati.
Habilaj u dënua me 18 muaj burg në mungesë, pasi kishte fituar nënshtetësinë, sërish duke gënjyer zyrtarët britanikë.
Në një artikull të sajin, e përditshmja DailyMail shkruan se ka mundur ta lokalizojë ish-oficerin e inteligjencës së Scotland Yard dhe Agjencisë së Krimeve të Mirëorganizuar (Soca). Sipas tabloidit britanik, Habilaj është rikthyer në vendlindjen e tij dhe qëndron në një resort në bregdetin e Vlorës.
Ai ka kaluar 6 vjet duke iu fshehur autoriteteve britanike, për të cilat kishte punuar dhe madje e shfrytëzoi eksperiencën e marrë atje për të punuar si punonjës sigurie në Shqipëri.
Dhe në mënyrë ironike, Soca, tashmë pjesë e Agjencisë Kombëtare të Krimit, e njohur ndryshe si FBI-ja britanike, kishte qenë duke e hetuar Habilajn, pa e kuptuar se ishte një prej punonjësve të saj.
Shqiptari mbërriti në Britani në vitin 1998 dhe pretendoi se ishte një kosovar i quajtur Bekim Ademi. Ai tha se vëllai i tij ishte torturuar për vdekje dhe se babai iu ishte vrarë nga UÇK.
Autoritetet britanike e besuan dhe i dhanë azil në vitin 2001, si dhe nënshtetësinë 5 vjet më vonë.
Ai u punësua nga Policia Metropolitane dhe më pas nga Soca, ku punoi si oficer i inteligjencës dhe ishte pjesë e një grupi me bazë në Londër. Detyra e kësaj skuadre ishte që gjente kriminelë të dëbuar, në kërkim për t’u ekstraduar.
Ai u demaskua pasi kontrolloi dosjen e vet, në një database të punës rreth njerëzve me interes për autoritetet.
Kërkimet rreth tij zbuluan se ai kishte lindur në Shqipëri dhe jo në Kosovë, se kishte një vëlla dhe se babai i tij ishte shëndoshë e mirë dhe jetonte në vendlindjen e tij.
Pasi u arratis përpara gjyqit, gjykata lëshoi për të një urdhër arrest, falë së cilit i jepte mundësinë policisë që ta arrestonin Habilajn nëse e gjenin.
Ky urdhër arrest vijon të jetë i vlefshëm dhe i ligjshëm derisa i dyshuari të kapet, ose të kthehet në mënyrë të vullnetshme për t’u përballur me drejtësinë.
Habilaj u gjykua dhe dënua në mungesë nga Gjykata e Snaresbrook në Janar të vitit 2013, për përfitimin e lejes dhe futjen apo qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar me anë të gënjeshtrës dhe mashtrimit.
Pavarësisht kësaj, Habilaj mundi t’i shpëtonte britanikëve dhe “DailyMail” thotë se e gjeti këtë javë, teksa 40-vjeçari kontrollonte punën e një ndërtimi, në një hotel që menaxhon në rrethinat e Vlorës.
Sipas të përditshmes britanike, ai ka arritur të sigurojë edhe një punë me kohë të pjesshme si këshillues për sigurinë, e madje u mburret banorëve të zonës për kohën që ka punuar me policinë britanike, pa zbuluar të vërtetën, sesi mori fund jetesa e tij në këtë shtet.
Gazetarët britanikë mësohet se tentuan të flisnin me 40-vjeçarin, por me inatë ai i pyeti: Kush ju ka sjellë këtu? Më pas u kërkoi punëtorëve që t’i largonin nga zona.
Tani baba i një fëmije, Habilaj nuk nguron të mburret edhe në internet për masterin në Kriminologji dhe deklaron gjithashtu se ka shkruar libra rreth këtij subjekti.
DailyMail e mbyll shkrimin rreth shqiptarit duke cituar një zëdhënës të NCA-së, Agjencisë Kombëtare kundër Krimit, i cili tha se puna për këtë rast vijon në bashkëpunim me Home Office.
*Shkrimi i plotë u publikua nga DailyMail /tvklan.al
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?