Alban Matja, tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se është banor i njësisë 6 dhe ka dy vajza, të dyja në shkollën 9-vjeçare “Betim Muço”.
Të madhen, që është në klasën e tretë, e pranojnë në shkollë, ndërsa ta voglën nuk e pranojnë, pasi nuk e njeh portali, për shkak të rrugës. Për këtë rast, “Stop” pyet drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Betim Muço”. Sazan Halilaj shprehet, se ai regjistron atë që i sjell portali.
Sazan Halilaj (Drejtori i shkollës): Kanë qenë të ndara rrugët nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas shkollave që mbulojnë. Konkretisht, në njësinë numër 6, në shkollën “Betim Muço” ku ju jeni të interesuar, janë edhe 3 shkolla të tjera 9-vjeçare. Është “Betim Muço”, “Lasgush Poradeci” dhe “Musine Kokalari”, kështu që fëmija i cili është për t’u regjistruar në klasën e parë, sigurisht që do të regjistrohet. E rëndësishme është që asnjë nxënës që mbush moshën 6 vjeç, deri në datën 30 Shtator 2021 nuk do të mbetet pa regjistruar, të gjithë do të jenë të regjistruar dhe në datën 27 Shtator do t’i gëzohen të gjithë ditës së parë të fillimit të vitit mësimor.
“Stop” shkon në Drejtorinë Arsimore, për të pyetur drejtorin e kurrikulave. Sulejman Keta, premton se fëmija nuk do të mbetet pa u regjistruar, pavarësisht shkollës. Në dorë, sipas tij, e ka portali./Tv Klan