Google ADS

Dy javë nga detyrimi për maskat, vdekjet dhe rastet e reja nuk janë ulur

19:16 | 29 Tetor 2020
A. B.

Sot u bë me dije se do të shtohen masat kufizuese, pasi situata me pandeminë Covid-19 nuk është aspak e qetë. Dy javë pas bërjes së detyrueshme të mbajtjes së maskave edhe në mjediset e hapura, shifrat nuk janë ulur.

Në dy javë janë shënuar 60 viktima, ndërsa janë pikasur 4,113 raste të reja, më shumë se periudha mars-korrik e mbledhur bashkë. Kjo prirje shtyri ekspertët e shëndetësisë t’i këshillojnë qeverisë që të mbyllë sërish universitetet, të cilat pritej të rihapnin auditorët javën e ardhshme.

Sipas të dhënave të ministrisë, në periudhën dy javore autoritetet publike dhe private kanë kryer mbi 19,000 teste me një mesatare prej rreth 1,360 testesh në ditë, nga ku pozitiviteti total ka qenë mbi 20 për qind. Ekspertët e lidhin pozitivitetin e lartë me faktin se qytetarët, sidomos të rinjtë, i kanë neglizhuar masat anti-Covid, sidomos distancimin fizik dhe mbajtjen e maskës. Policia ndërkohë ka raportuar për gjobitje të qindra qytetarëve për mos-vendosje të maskës.

Të dhëna domethënëse:

Covid-19 u ka marrë jetën pesë mjekëve: Anibal Byberi, Hysni Shkjau, Arian Pushi, Esat Pashaj dhe Muharrem Xhepexhiu.
Dita e fundit pa viktima në raportet ditore: 24 shtator.
Më shumë të shëruar në një ditë: 264 raportuar më 2 tetor.
Më shumë të infektuar në një ditë: 311 raportuar më 28 tetor.
Më shumë viktima në një ditë: 7 raportuar më 26 tetor.
Viktima në moshë më të re: 21-vjeç raportuar më 15 korrik.

Masa të rëndësishme:

Prej 19 korrikut testi për antitrupa bëhet edhe në klinika private.
Prej 23 korrikut testi për Covid-19 me tamponë kryhet edhe në klinika private.
Prej 20 korrikut maska është e detyrueshme në mjediset e mbyllura.
Prej 15 tetorit maska është e detyrueshme edhe në mjedise të hapura.
Prej 20 korrikut ndalohet muzika pas orës 20:00.

Të dhëna mbetur të paqarta:

Nuk janë raportuar ende rastet e vdekjeve jo-spitalore me Covid-19.
Nuk janë raportuar rastet e vdekjeve të pacientëve që kanë humbur jetën pasi janë dërguar për trajtim më të specializuar jashtë shtetit.
Të paktën 12 raste me pacientë të infektuar nga Covid-19 (bashkë me vetëvrasjen e dy pacientëve në spital), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga Covid-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme të të infektuarve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme