Google ADS

Durrës/ Sherr për vendin e parkimit, 45-vjeçari plagos të riun dhe nënën e tij

22:44 | 23 Shkurt 2021
Arbresh.info

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit, ku janë plagosur dy persona, nënë e bir.

Ngjarja ndodhi në lagjen 12 të qytetit, pak minuta pas fillimit të orës policore. Autori i dyshuar, i identifikuar si Zyber Juba, është fqinj me të plagosurit.

Policia bën me dije se ka nisur një konflikt për vende parkimi dhe 45-vjeçari qëlloi me armë zjarri 23-vjeçarin, i identifikuar Flamur Çerma.

Për pasojë, u plagos në këmbë edhe nëna e të riut, e identifikuar si Valbona Çerma. Ata janë dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Palët po nxitonin të parkonin automjetet e të ktheheshin në banesa për të respektuar orën policore, ndërsa u përfshinë në konflikt.

Ndërsa autori i dyshuar është shoqëruar në polici për të kryer veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Më datë 23.02.2021, rreth orës 20:10, në lagjen nr.12, Durrës, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, shtetasi Z.J., rreth 45 vjeç, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Ç., rreth 23 vjeç.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë dhe shtetësja V. Ç., rreth 45 vjeçe, ( e ëma e shtetasit F. Ç.,), e cila ndodhej në momentin e konfliktit dhe është dërguar në spital nga shërbimet e Policisë dhe ndodhet bashkë me djalin nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar shtetasi Z. J., është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme