Durrës, një e moshuar infekton mjekun me koronavirus

12:11 | 13 Mars 2020
Arditë Shkodra

Para dy ditësh në Durrës u shënua viktima e parë nga koronavirusi, një 73- vjeçare e moshuar që kishte ardhur nga Italia dhe ishte hospitalizuar prej disa ditësh në spital, duke mos u thënë mjekëve për historinë e udhëtimit.

Ndërkohë i gjithë stafi mjekësor që ishte kujdesur për të moshuarën u detyrua të vetizolohej pasi dyshohej se mund të ishin prekur nga Covid-19. Këtë të premte, përmes një njoftimi Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar një rast, ku një mjek që ka pasur kontakte me gruan, ka rezultuar të jetë pozitiv me koronavirusin.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë:

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në Spitalin e Durrësit, të cilët rezultuan negativë, ISHP-ja ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal – Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në Spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 33 persona të vetizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Dua t’u bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur!“

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme