Drogë, grabitje e dhunë/ Arrestohen 4 persona të rrezikshëm në Elbasan

08:53 | 16 Shkurt 2021
Arbresh.info

Elbasan – Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në prangat e policisë, po ashtu në pranga kanë rënë edhe tre të tjerë në kërkim kombëtar.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

• P. H., 34 vjeç, banues në Peqin.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Brescias, Itali, në datën 26.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë.

Në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin:

• F. H., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 13.02.2021, në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, nën kërcënimin e një arme zjarri pistolet dhe të një mjeti të mprehtë (thikë), ka vjedhur një market në pronësi të shtetasit F. H.

Specilaistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd kapën dhe ndaluan shtetasit:

• A. Ç., 31 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi gjatë një konflikti ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhit të tij.

• Sh. A., 28 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, pasi gjatë kohës që punonjësit e Policisë kanë qenë duke ekzekutuar vendimin penal për një të afërm të tij, ai ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Peqin dhe Shijak, kapën dhe ndaluan shtetasin:

• E.K., 38 vjeç, banues në fshatin Kotorr, Gramsh, pasi Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitjen e lëndëve narkotike”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme