Ai është një nga njerëzit më të vlerësuar dhe më të nderuar në fushën e sigurisë. Dritan Demiraj është koloneli me një aktivitet brilant jo vetëm në terren, por edhe në fushën e studimeve. Mjaft i dashur në mediat sociale, ai njihet ndryshe edhe si Rambo i Shqipërisë. Në këtë intervistë të gjatë, ai flet për shumë gjëra, duke rikonfirmuar atë që shumë njerëz e presin: rikthimin në fushë-betejë. Por për fat të keq, jo për ushtrinë shqiptare.
Sapo ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin Europian të Tiranës, ku në një studim prej më shumë se 10 mijë faqesh, i bërë për herë të parë në komunitetin e Forcave Speciale të NATO-s, koloneli Demiraj tashmë i tërhequr nga radhët e ushtrisë shqiptare, nxjerr arsyet pse duhet investuar në atë çka njihet si “smart defends”, duke sjellë shembull një informacion të pasur e të hollësishëm të mbledhur nga përvoja 13-vjeçare në fushë-betejë.
Ai zbulon se është në proces të mbrojtjes së doktoraturës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ka gati për botim për lexuesin amerikan një libër të ri që sjell bashkë historikun dhe specifikat e të njëmbëdhjetë grupeve terroriste që operojnë sot në Lindjen e Mesme e po ashtu një libër titulluar “Shqiptarët e ISIS”, ku do të pasqyrohen jo vetëm me hollësi të gjithë individët shqiptarë që kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik nga viti 2012, por edhe një analizë e arsyeve që i çon ata të bëhen pjesë, si edhe masat që duhet të marrin qeveritë për parandalim.
Teza e doktoraturës, që i ka kushtuar një punë dhjetëvjeçare, është edhe libri i tridhjetë në kolanën e botimeve që mbajnë autorësinë e Demirajt, kopje të të cilave thotë se i ka çuar edhe në kryeministri dhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke u sugjeruar të mbledhin informacione të vlefshme që mund të gjenden brenda, por deri tani nuk ka marrë asnjë ftesë për bashkëpunim apo qoftë edhe interesim.
Megjithatë, ndan mendime pozitive rreth ministres së re të Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që sipas tij i ka sjellë frymë të re institucionit, krejt ndryshe nga pararendësja e saj, Mimi Kodheli.
Ai ka rrëfyer edhe përvojën në Ministrinë e Brendshme, me gjithë kohën e kufizuar dhe njerëzit kundër, arritjet si ministër i qeverisë teknike dhe thotë se do të jetë sa herë i gatshëm nëse qeveritë – e cilitdo kah – do ta kërkonin në një prej ministrive ku ai ka ekspertizë.
Demiraj ka zbuluar gjithashtu se po planifikon të rikthehet sërish në fushë-betejë. Megjithëse nuk zbulon se në ushtrinë e cilit shtet do të përfshihet, mohon kategorikisht kthimin në radhët e ushtrisë shqiptare…
Do të doja të dija diçka më shumë rreth Tezës së Doktoraturës suaj, të cilën sapo e keni mbrojtur në Universitetin Europian të Tiranës. Çfarë keni trajtuar në të dhe për çfarë mund t’i shërbejë publikut të gjerë studimi me të cilin kontribuoni në kërkimin shkencor?
Doktorata “Forcat speciale në një ambient të ri të luftimit, zhvillimit bashkëkohor; rast studimi Afganistani”, ka marrë shkas nga misionet prej vitit 2001 deri në vitin 2014, që do të thotë se e gjithë doktorata është e ndërtuar mbi bazën e përdorimit të forcave speciale në luftën asimetrike, gjë e cila nga viti 2001 e deri më sot, vërteton që është forca më e fortë për luftën kundër terrorizimit, luftën asimetrike dhe luftën e gjeneratës së katërt, e cila bëhet pa rregulla.
Doktorata është një studim, i cili bëhet për herë të parë në komunitetin e Forcave Speciale të NATO-s, përfshi dhe SHBA-në, që do të thotë se pse duhet të investojnë shtetet e NATO-s
në Forcat Speciale, të cilat në raport me sasinë e përgjithshme të forcave të armatosura të të gjithë shteteve përbëjnë vetëm një përqind ose dy, por në raport me kontributin që japin në luftën kundër terrorizmit, japin mbi 90- 95 përqind të sukseseve të misioneve të caktuara.
Pra të kuptohemi, në konceptin e NATO-s, ‘Smart Defends’ pra të investohet në forca, pajisjet dhe mjetet të cilat japin kontributin më të madh, pra kontributin ‘smart’, që me më pak para të marrësh sa më shumë përfitime politike, te informacionet diplomatike, që sa më stabël të jenë, kthehen dhe në përfitime ekonomike.
Unë kam marrë si shembull operacionet e ISAF-it, që nga momenti kur ushtria amerikane futet në tetor të 2001–shit me grupet e para të CIA-s dhe të Forcave Speciale të grupit ’959’ nën drejtimin e kolonelit John Mullholand, mikut tim, gjeneral me katër yje sot në Amerikë –dhe pastaj argumentoj përgjatë gjithë tezave të doktoratës, se pse ushtria shqiptare duhet të krijojë një komandë të Forcave Speciale, si duhet ta krijojë, në çfarë lloj strukture, me çfarë lloj pajisjesh, në ç’kohë dhe në fund, përfitimet politike që do të marrë kryeministri, që në rastin konkret është Edi Rama, së bashku me ministren e Mbrojtjes, Xhaçka.
U kam sugjeruar, dhe një kopje të doktoratës ua kam dhënë të gjithë personave që kanë vendimmarrje në ministrinë e Mbrojtjes, duke nisur nga ministrja e deri poshtë me qëllim ta marrin, ta shikojnë, ta studiojnë. Është fryt i një pune dhjetëvjeçare. Është fryt i një pune me mbi 300 burime “restricted”, të kufizuara, sekrete dhe, e gjithë doktorata është e ngritur mbi bazën e fakteve, analizave, grafikëve, përfundimeve shkencore në fushë-betejë.
Do isha i lumtur që edhe Shqipëria të niste ta kuptonte se duhet të krijojë një grup të tillë forcash speciale. E krijuam në fakt një të tillë në vitin 2009 deri në vitin 2013 dhe Shqipëria pati përfitime të jashtëzakonshme.
Në fund të kapitullit të dytë kam botuar tri tabela, të cilat tregojnë kontributet e Shqipërisë në raport me shtetet e tjera të NATO-s dhe më lejoni të theksoj se në vitin 2013, Shqipëria ka qenë e renditur me kontribute e pesta mes 29 shteteve anëtare.
Pra, Shqipëria e pesta në raport me 29 shtete, e cila ka një ushtri të vogël, një vend i vogël, me një buxhet shumë të vogël, pothuajse të papërfillshëm, arriti që kontributet e saj të renditeshin në vendin e pestë. Dhe kjo vetëm falë misioneve ‘Eagle 1’ e deri te misionet ‘Eagle 7’, misione të cilët janë dizajnuar, stërvitur, krijuar, drejtuar personalisht nga unë në fushë-betejë që nga dita e parë deri në momentin e daljes sime në rezervë.
Duket pionier si studim, pasi thatë është i pari që bëhet në forcat speciale. A keni në plan ta botoni e ta përktheni që mund t’u vijë në ndihmë e dhe shteteve të tjerë, anëtarë të NATO-s?
Në vazhdën e botimeve për terrorizmin, për sigurinë dhe njëkohësisht dhe për forcat speciale, ky libër sapo është botuar dhe po shpërndahet. Është i tridhjeti në kolanën e librave të shkruar nga unë. Janë rreth 10.500 faqe dhe kam dëshirë ta theksoj këtë. Së bashku me librin e fundit që po botohet në Amerikë “Terrors Eleven” –libri i parë që botohet në botë, i cili i përfshin të njëmbëdhjetë grupet terroriste islamike. Janë rreth 1000 faqe, ku shqyrtohen strategjitë dhe taktikat e gjithë grupeve terroriste islamike duke filluar me Shtetin Islamik, Fronti Al-Nusra, Al-Kaeda, Hesbollahun, Boko-Haram, Al-Shabab, Talebanët, Xhihadi Islamik, Hamas dhe me Al-Quds dhe Rojet Revolucionare iraniane
Njëmbëdhjetë grupe, të cilët në një formë apo në një tjetër kanë një rol të jashtëzakonshëm për keq; në prishjen e stabilitetit të botës dhe, të gjithë librat e mi -kryesisht këta dhjetë të fundit- janë analizë e situatës në Lindjen e Mesme, kryesisht Irak, Siri për ISIS dhe Frontin Nusra, në të cilat përveç historikut, analizës, strukturës, komandim-kontrollit, strategjisë kombëtare, strategjisë globale të terrorizmit, strategjisë së medias, e kështu me radhë dalin dhe konkluzione të cilat u sugjerojnë ushtrive, kryesisht ushtrive të SHBA-së, sesi duhet të fokusohen më shumë në stërvitjen e njësive të vogla. Pra, në zgjedhje konkrete që të përballen më me sukses me ushtritë islamike, kryesisht Siri, Iran, Irak dhe rrjetin e influencës tyre në Lindjen e Mesme.
Libri “Terrors Eleven” botohet në SHBA thatë? Do jetë vetëm për tregun amerikan apo do e shpërndani edhe në Europë? Pasi sulmet terroriste islamike duket se e kanë lëvizur pak fokusin e sulmeve nga SHBA duke u përqendruar fort në vendet europiane….
Po në SHBA, ndërsa në Romë po botohet në italisht libri “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik”, vjet u bë ceremonia e promovimit të tij në ‘Plaza’. Është një libër me rreth 800 faqe që flet për historikun, strukturën, komandim-kontrollin, 16 komandat operacionale të Shtetit Islamik, pastaj merr në detaje të gjithë analizën deri në përfundime sesi duhet të strukturohen ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, por jo vetëm, gjithashtu edhe ato arabe. Pra krijimi i një aleance të shteteve arabe për t’u përballur me kërcënime të tilla në Lindjen e Mesme.
Sot kemi një operacion që është drejt përfundimit në Irak, nën drejtimin e SHBA, gjithashtu kemi edhe një operacion tjetër që po zhvillohet nga forcat e armatosura amerikane në Siri, në Dierezor, në Raka, të cilët po punojnë për kontrollin e plotë të situatës kundër ISIS dhe ushtrisë së lirë siriane, në territorin e Sirisë. Gjithashtu kemi edhe një operacion që po zhvillohet në Jemen nën drejtimin e Arabisë Saudite; janë 7 vende të Gjirit plus Egjipti dhe Pakistani, të cilët po zhvillojnë një operacion prej tre vitesh në Jemen kundër rebelëve Hauthi, koalicion i cili asistohet edhe nga forcat amerikane, angleze dhe franceze.
Ju thatë që është botimi i tridhjetë ky i doktoraturës, ndërkohë që ju keni qenë aktiv edhe në trajnime, edhe në fushë-betejë; si e gjeni kohën për t’i balancuar këto të dyja sepse librat tuaj janë shumë voluminozë, me të dhëna të sakta e konkrete jo vetëm nga fushë-beteja, por edhe materiale arkivore e statistikore. Si e gjeni kohën për të shkruar?
Është një punë e nisur dhjetë vite më parë, e cila fatmirësisht nuk është vetëm punë teorike, një pjesë e madhe është eksperienca praktike, të cilën pak kanë pasur rastin dhe fatin ta kenë. Është një punë, e cila vazhdon sepse një konflikt sapo përfundon në një zonë të Lindjes së Mesme, kalon në një zonë tjetër. Fatkeqësisht situata në Lindjen e Mesme po përkeqësohet, kjo dhe për shkak të konflikteve dhe ndërhyrjeve të shteteve si Rusia, Irani, Turqia kundër boshtit të NATO-s dhe një pjese të shteteve aleate, në Lindjen e Mesme.
Shumë shpejt do të dalë një libër unik, i cili titullohet “Shqiptarët e ISIS”. Do të botohet brenda këtij viti dhe do të pasqyrojë me hollësi individët, që kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik që nga viti 2012 e deri më sot; shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Serbisë. Një analizë e hollësishme e arsyeve, të cilat i shtyjnë njerëzit të bëhen pjesë e këtij grupi, gjithashtu masat të cilat kanë marrë qeveria shqiptare, por jo vetëm, edhe ajo e Kosovës me qëllim ndalimin e kësaj, që do të thotë dalja e disa ligjeve të reja, ndalimi i disa personave të cilët janë raportuar dhe pastaj kemi një analizë të shkaqeve dhe rrethanave sesi radikalizohen njerëzit, masat që nga hapja e qendrave dhe pastaj një përmbledhje e Shtetit Islamik dhe rrugëve në të cilat njerëzit infiltrohen, kush është Shteti Islamik, cilët kanë qenë komandantët kryesorë të shqiptarëve, siç kemi pasur Lavdrim Muhaxherin, al-Kosovin, al-Albanin, e me radhë me emra e fotografi. Libri mbyllet me një sugjerim, se cilat duhet të jenë masat dhe format e qeverisë shqiptare për të penguar këto fenomene, jo vetëm nëpërmjet burgosjes së njerëzve, por nëpërmjet masave më jo-radikale për t’i bërë njerëzit me të vetëdijshëm.
Ky libër ka për qëllim së pari t’i tregojë popullit që edhe ne kemi qenë pjesëmarrës dhe në raport me shtetet e tjerë, renditemi në vend të parë në botë për pjesëmarrje, gjë e cila fatkeqësisht nuk na nderon.
Fusha e sigurisë është fushë krejtësisht e paprekur në Shqipëri dhe unë gjykoj se është një kontribut i mirë- sado modest nga ana ime -i cili shpresoj t’i bashkohet edhe nga ekspertë të Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes apo nga shërbimet inteligjente shqiptare.
Doja të ndalesha pak te studimet në Fushën e Sigurisë. E di që në Universitetin Europian të Tiranës ka studime Master të dedikuara kësaj fushe. Por në përgjithësi në universitetet tona a ofrohen studime të hollësishme në këtë fushë?
Dua të them se ndihem i nderuar që themeluesi i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili dhe rektori Tonin Gjuraj, pas përfundimit të doktoratës më ofruan një vend permanent në këtë universitet si lektor, vend të cilin do e kisha pranuar me shumë dëshirë, nëse nuk do të isha pjesë e disa programeve dhe disa organizatave “Think Tank” në SHBA, ku edhe së shpejti do të kthehem për të vazhduar punën e lënë përgjysmë para një viti. Por me UET-in kemi një bashkëpunim të mirë, të cilin shpresoj që, në bashkëpunim edhe me universitetin në të cilin do të punoj së shpejti në Amerikë, të bëjmë një binjakëzim dhe të mundohemi të hapim vitin e ri akademik në shtator -kështu kam diskutuar edhe me rektorin-Masterin e Sigurisë me standarde botërore.
Ky është lajm i mirë, veçanërisht për studentët e kësaj fushe apo ata që duan të studiojnë në të ardhmen…
Jam i vendosur në maksimum që ky projekt i profesor Gjurajt dhe i zotit Çili të fillojë implementimin këtë vit dhe, vitin që vjen niveli i njohurive të studentëve në UET të jetë absolutisht i barabartë me elitën e studentëve të Amerikës dhe jo vetëm sa i përket nivelit, por edhe diploma të jetë e njehsuar dhe që studentët e UET të kenë mundësi të marrin pjesë në konferencat e sigurisë të nivelit botëror pse jo dhe të Departamentit të Mbrojtjes, të Departamentit të Shtetit, të Pentagonit, gjithashtu dhe të universiteteve amerikanë të Sigurisë. Shpreh vendosmërinë maksimale që edhe unë në mënyrë modeste të jap kontributin tim në realizimin e këtij objektivi.
Do të doja të ndaleshim pak tani tek doktoratura juaj në SHBA. Qëndroni në të njëjtën çështje apo trajtoni diçka të re?
Konkretisht tema e doktoratës në Amerikë ka të bëjë me luftën kundër terrorizmit dhe përfshirjen e elementeve ballkanas në rrjetin global të terrorit. Një analizë e hollësishme e shqiptarëve, e boshnjakëve dhe e gjithë elementeve ballkanas në dy dekadat e fundit të terrorit, qysh nga konflikti i Bosnjës në Jugosllavi dhe deri në ditët e sotme.
Qasja për ta parë Ballkanin me syrin e një ballkanasi duket interesante. Jemi mësuar të lexojmë studime akademike të studiuesve apo profesorëve që flasin vetëm në plan teorik, pa shkelur në terren, ndërkohë ju si në Lindjen e Mesme, po ashtu edhe në Ballkan i keni prekur vetë. Si është kombinimi mes teorisë dhe praktikës dhe çfarë është plus kur njerëzit e dinë që po lexojnë një studim ose po marrin disa të dhëna nga një njeri që i ka prekur realisht ato që shkruan?
Ka disa teori sot, që përplasen me njëra-tjetrën. Një pjesë e ekspertëve botërorë të Sigurisë flasin mbi bazën e doktrinave, mbi bazën e disa teorive për luftën kundër terrorizmit, të cilat i marrin që nga Lufta e Vietnamit e deri më sot.
Një pjesë e komandantëve sot siç është gjeneral Petraeus, ish-komandanti i ISAF-it, i komandës qendrore, drejtor i CIA-s, gjeneral McChrystal, gjeneral Allen, gjeneral Dunford, dhe një pjesë e vogël e komandantëve të Forcave Speciale amerikane siç është i mirënjohuri, admirali William McRaven, që është dhe babai i operacioneve speciale, që është dhe një nga miqtë më të mirë të mi, por gjithashtu edhe unë personalisht, të cilët po mundohemi që të gjithë eksperiencën e hasur në terren në drejtim jo vetëm të mënyrës sesi luftojnë terroristët kundër nesh, por edhe sesi i aplikojnë këto taktika kundra nesh.
Ne jemi ulur, kemi shkruar shumë faqe në mënyrë që t’i ofrojmë lidershipit vendimmarrës politik, në rastin konkret kryeministrit, presidentit, ministrit të Mbrojtjes, zgjidhje konkrete sesi duhet të stërviten, pajisen, strukturohen forcat tona përpara se të shkojmë në fushë-betejë. Zakonisht komandantët konvencionalë, drejtuesit e lartë ushtarakë janë shumë xhelozë ndaj komandantëve të terrenit, gjë e cila ka qenë shumë e njohur edhe në rastin tim në Shqipëri. Kjo është edhe një nga arsyet pse u hoqa nga ushtria. Thjesht xhelozi. Ne kemi ofruar qindra faqe me programe ku i tregojmë lidershipit politik dhe ushtarak sesi duhet të jenë të stërvitur dhe të pajisur njerëzit tanë përpara se të shkojnë në dislokim. Për hir të së vërtetës, kjo ndodh në shumë pak shtete të NATO-s. Një ekspertizë të tillë mund të kenë vetëm shtete si Anglia, Franca, Gjermania, Italia dhe ndoshta edhe Norvegjia.
Në këtë drejtim kam qenë i vetmi ushtarak në ushtrinë shqiptare, por librat e mi janë botuar edhe në anglisht për ushtrinë amerikane që është një rast unik dhe ndihem krenar që ofroj zgjidhje konkrete sesi duhet të bëhet stërvitja e njësive të vogla, stërvitja e luftimit të trupave që veprojnë në shkretëtirë, stërvitja e njësive që do të luftojnë në shpellat e Afganistanit, në terrene alpine ekstreme, cilat lloje armësh funksionojnë, cilat lloje misionesh… deri në detajet më të vogla. Lufta kundër minave, lufta kundër kamikazëve, teknikat si duhet t’u afrohesh terroristëve, kur shtëpitë e tyre janë të minuara, metodat dhe veprimet dhe anashkalimet e rrugëve të cilat janë të minuara, çminimi, teknikat e para dislokimit, njohja e gjuhëve, zakoneve. Pra i kushtoj rëndësi të jashtëzakonshme parapërgatitjes së ushtarakëve në zonat si Afganistani, Iraku apo Siria, sepse është e rëndësishme që njerëzit duhet që të njohin terrenin, të njohin zakonin të njohin, gjuhën që përveç shumë gjërave kundër, të mos u kthehet kundër edhe terreni, moti apo edhe gjuha.
Pra, nuk mjafton vetëm përgatitja fizike. Përgatitja ushtarake, po thoni, është shumë më tepër se kaq?!
Ne u ofrojmë operatorëve tanë të gjitha njohuritë e duhura, jo vetëm se çfarë do të hasin në terren, por edhe një analizë të hollësishme të të gjithë sulmeve që janë regjistruar në Irak, Siri, Afganistan, Libi, etj., gjatë tri dekadave të fundit. Duke e ditur sesi armiku do të na kundërshtojë -dhe militantët islamikë janë më me eksperiencë sot në nivel global- atëherë kjo nuk bën gjë tjetër, përveçse së pari i çon njerëzit tanë me më shumë kurajë, sepse e dinë si do të sulmohen.
Së dyti i çon më të aftë nga ana e përgatitjes, jo vetëm për t’u mbijetuar rasteve, por edhe për të dalë me sukses ndaj sulmeve të caktuara dhe së treti, i bën një nder të madh Shqipërisë sepse edhe ne jemi vend i vogël, por përsëri ofrojmë njohuri në nivel të NATO-s, duke iu ofruar ekspertizë konkrete mbi bazën e analizave shkencore, akademike të drejtpërdrejta nga terreni për mënyrën sesi ushtritë e NATO-s duhet të luftojnë. Dhe këto janë një pjesë e madhe e librave të mi kryesisht të shkruar për ushtrinë amerikane, së cilës i ofrojmë ekspertizë sesi duhet të përmirësojë qasjen dhe stërvitjen e saj para dislokimit të trupave në terren.
Me përvojën që keni grumbulluar nga terreni dhe fushëbetejat, besoj se do të vazhdoni të shkruani ende libra të kësaj natyre…
Jo. Do të vazhdoj të shkruaj libra padyshim, por mendoj se do të shkoj deri tek numri pesëdhjetë i botimeve. Këtë kam si plan, por besoj në një të ardhme jo të largët do të angazhohem sërish në terren.
Me cilën ushtri? Atë shqiptare apo atë amerikane?
Nuk ka rëndësi me kë. Me forcat shqiptare jo. Shqipëria fatkeqësisht nuk ka trupa luftimi të dislokuara. Shpresoj që një ditë të ketë.
Domethënë, ju mungon terreni…
Po, më mungon. Pas një periudhë 3- vjeçare pauze, mendoj se ka ardhur momenti për të qenë pjesë e misioneve në terren dhe pastaj, pas një viti a një viti e gjysmë do të shkruaj disa libra të tjerë. Pra, mendime të tjera në raport me ato që kam shkruar deri tani. Terroristët islamikë, në raport me të gjithë të tjerët, duhet thënë se përveçse kanë një eksperiencë jashtëzakonshme luftimi, karakterizohen edhe nga cilësi të jashtëzakonshme të përshtatshmërisë me kohën, me terrenin, me kundërshtarin. Siç evoluojnë teknikat tona, do të thosha se dyfish më shpejt dhe në mënyrë të shumëllojshme ndryshojnë edhe teknikat e tyre.
Kur flasim për grupe terroriste nuk flasim thjesht për ata që kemi në perceptimin e gjerë publik si njerëz të indoktrinuar, ku veç kauzës që përqafojnë nuk është se kanë ndonjë përgatitje të posaçme psikologjike apo ushtarake, por thjesht marrin armët dhe vrasin apo hedhin në erë…
Janë njerëz shumë të zgjuar, janë njerëz që investojnë në drejtim të lidershipit dhe në drejtim të teknikave, taktikave, armatimit, pajisjeve dhe implementimin në terren. Studiojnë me vëmendje trendin teknologjik, kompjuterik, mediat, pjesën e PR-it dhe kjo quhet “dark web”. Duhet ta pranojmë që kanë qenë jashtë mase të suksesshme dhe gjithmonë studiuesit e terrorizmit, analistët e terrorizmit, mbi bazën e statistikave bëjnë edhe krahasimin. Dhe, është e paprecedent në historinë e terrorizmit modern ajo që ka ndodhur në qershor të 2014-ës. Në vitin kur al-Baghdadi shpalli Kalifatin në xhaminë e Mosulit numri i njerëzve që i janë bashkuar Xhihadit në Siri dhe Irak ka qenë me dhjetëra mijëra luftëtarë. E paprecedentë. As në periudhën ’79 – ‘89, kur SHBA-të dhe Pakistani, u bashkuan për të mbështetur Muxhahedinët kundër pushtimit Sovjetik, nuk ka pasur numër kaq të lartë; atëherë shkonte nga 5 deri 10 mijë luftëtarë. E gjithë kjo ka ardhur edhe falë aftësisë së tyre në rekrutim.
Nga përvoja juaj, mendoni se terrorizmi është rreziku permanent që bota do të ketë edhe në të ardhmen?
Pa diskutim. Është një rrezik i jashtëzakonshëm. Së pari, ata zotërojnë një nivel ekspertize të lartë. Së dyti, gjeografia e luftëtarëve të huaj, të përfshirë në grupet terroriste është shumë e madhe; janë rreth 50 mijë luftëtarë me origjinë nga 107 shtete dhe janë rreth 15 mijë nga Evropa, kryesisht nga Anglia, Franca, Belgjika, Italia dhe Shqipëria.
Ju i mbani mend sulmet e Parisit, Brukselit, Mynihut?! Dhjetëra sulme të kryera nga luftëtarë të kthyer nga lufta. Kemi një numër të madh njerëzish të arrestuar në burgjet e kurdëve në Siri, që janë shtetas anglezë, belgë, francezë, etj., të cilët në rast se do të lirohen nga burgjet posedojnë rrezik të madh për shtetet perëndimore.
Së treti, kemi një rrjet shumë të përhapur xhihadistësh në Evropë, të cilët në gjuhën e ekspertizës quhen “lone wolves”- pra ujqit e vetmuar- të cilët nëpërmjet përdorimit, shfrytëzimit të rrjeteve xhihadiste, rrjeteve mediatike apo uebsajteve që kanë, marrin komandat dhe kryejnë sulmet me thikë, sulme me automjete, dhe meqenëse jemi në këtë pikë do të dëshiroja të theksonim si të rëndësishme se çdo sulm – po të shihet me vëmendje – ndryshon nga tjetri në formën, metodën, aplikimin, vendin, kohën dhe mënyrën sesi kryhet. Pra lind domosdoshmëria për t’i studiuar dhe këtë e kam bërë në mënyrë modeste, me një analizë të hollësishme të të gjitha sulmeve terroriste duke ofruar një zgjidhje konkrete sesi agjencitë ligjzbatuese- jo vetëm shqiptare por edhe ato amerikane -të përgatiten për të reaguar sa më shpejt në drejtim të kundërvënies së këtyre sulmeve.
Po qeveria shqiptare si i ka pritur studimet tuaja? A keni bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes në këtë drejtim?
Nuk është se kam ndonjë bashkëpunim të madh. Fatkeqësisht qeveria shqiptare. Nuk ka nevojë për shumë ekspertizë. ‘Ekspertët’ e Shqipërisë i dinë të gjitha. Nuk kanë nevojë as të lexojnë, as të shkruajnë dhe as të blejnë dhe këtë e tregon fakti që ministritë përkatëse nuk botojnë asgjë në drejtim të terrorizmit. Do të ishte me interes, u kam ofruar disa herë të marrin librat, por asnjë nga agjencitë apo drejtoritë e qeverisë shqiptare, përfshi Shërbimin Informativ, përfshi Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, përfshi Shtabin e Përgjithshëm nuk janë ofruar të marrin asnjë kopje. Por librat ecin, librat shiten. Në fakt, e vërteta është se libri sapo ka dalë është shitur brenda javës. Pavarësisht Shqipërisë, treg kryesor kam ShBA-në.
Do të doja një gjykim tuajin, si e shihni ushtrinë shqiptare sot, pasi jeni larguar?
Ushtria shqiptare nën drejtimin e znj. Xhaçka është në drejtimin e duhur. Lidership krejtësisht ndryshe nga arroganca e Kodhelit. Ndjehem i lumtur që buxheti i shtetit, në raport me vitet 2013-1017, është në rritje. Kërkesat e ministres dhe aplikimi i punës së saj bën që njerëzit të jenë më të motivuar. Kam kontakte të përditshme me kolegët e mi në ushtri dhe shprehin respekt e mirënjohje të thellë ndaj mënyrës, sjelljes, profesionalizmit të zonjës Xhaçka. Nuk më ngelet tjetër përveçse t’i uroj ministres Xhaçka që të ushtrojë autoritetin e saj. i kam dhuruar edhe një kopje të librit tim, tezës së doktoratës. Uroj që ajo të krijojë komandën e Forcave Speciale.
Shpresoj që së shpejti trupat tanë të kontribuojnë si dikur në luftën kundër terrorizmit, në terren dhe në misione luftarake.
Po nëse do të kishit ftesë për t’u kthyer edhe njëherë në ushtrinë shqiptare, a do të pranonit?
E mora ftesën, por refuzova.
Në fund do doja të na rrëfenit diçka më shumë rreth përvojës si ministër i Brendshëm, edhe pse ishte përvojë jetëshkurtër…
Nuk ishte aspak e shkurtër. Njerëzit mund të qëndrojnë në ministri edhe katër vjet, mund të qëndrojnë edhe katër muaj, aq sa qëndrova unë. Ju siguroj se për aq pak kohë në punën e ministrit të Brendshëm kam marrë vlerësime maksimale në tre drejtime. Së pari, ka qenë një drejtim profesional, jo-politik, siç ndodh rëndom në ministritë e Brendshme, ku hiqen njerëzit nga puna në bazë të bindjeve politike. Gjeta një ministri, policia e së cilës kishte qenë thellësisht e përfshirë në trafikun e drogës. Ju i dini tashmë rezultatet; janë rreth 60 ton drogë e kapur nën drejtimin tim, pavarësisht mos koordinimit nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Në vend që të bashkëpunonte me mua, merrte urdhra nga krahu tjetër. Operacione të drejtuara drejt në terren në dy muajt e para të kulmit. Në muajin qershor dhe korrik nuk kemi pasur asnjë dalje të drogës në brigjet e Greqisë dhe të Italisë. Gjë e cila tregon se, kur ka vullnet politik nga ministri, droga nuk mund të kalojë. Vazhdoj të ndihem i përkushtuar. Asistoj në çdo moment dhe rast në Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, në rast se u duhet ekspertizë. Në fakt kërkesë, të cilën e kam bërë disa herë, por asnjë nga institucionet nuk ka pasur dëshirën ta ushtrojë. Së fundi, do të largohem në SHBA dhe do filloj angazhimin jo vetëm akademik, por edhe publik në institucionet e Sigurisë. Gjithmonë sytë e mi do të jenë nga Shqipëria, kurdo që ndonjë nga qeveritë apo nga kryeministrat do më ofrojë mundësinë për të drejtuar një nga ministritë e ekspertizës sime.
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...