Dritan Dajti përfundon në spital: I dënuari për vrasjen e 4 policëve dyshohet se është me Covid-19

01:49 | 27 Janar 2021
Trina Galanxhi

Dritan Dajti i dënuar për vrasjen e 4 policëve dhe që aktualisht vuan dënimin në burgun e Peqinit u transportua mbrëmjen e se martës për trajtim mjekësor në QSUT në Tiranë.

Nuk bëhet e ditur se çfarë problemesh shëndetësore ka shfaqur Dajti, megjithëse burime të Top Channel thanë se dyshohet edhe për Covid, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse është i infektuar, ndërsa në qendren spitalore universitare Nënë Tereza janë marrë masa të rrepta sigurie.

Herën e fundit Dajti u soll në Tiranë për vizitë në një klinikë private, ndërsa më pas u pezulluan disa policë të burgjeve, pasi drejtori i burgjeve nuk ishte njoftuar për këtë lëvizje.

Dajti është i dënuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj në vitin 2009. I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, atij iu ul dënimi në 25 vjet burg. Dajti ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Në dosjet e Prokurorisë dhe Policisë, por edhe në Interpolin Europian, emri i tij shkruhej me të kuqe, pasi cilësohej si një nga personat më të rrezikshëm.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme