Google ADS

Dosja Tahiri, Bylykbashi: Prokuroria ka plot prova, por nuk do të veprohet

17:38 | 2 Nëntor 2018
A. B.

Në studion e Top Talk ka qenë i ftuar deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi, për të diskutuar me zhvillimet me të fundit të një çështjeje të ndjeshme për politikën dhe opinionin publik sikurse është “Çështja Tahiri”.

Ish-Ministri i Brendshëm u rishfaq publikisht pas gati një viti për të thënë se në Itali nuk po hetohet, ndërsa në Shqipëri për të drejtësia po vonohet. Saimir Tahiri kërkoi përshpejtim të hetimeve dhe procesit të drejtësisë ndaj tij. Por sigurisht që opozita ka objeksionet e saj për këtë çështje.

“E kemi paralajmëruar gati 10 muajsh më parë me ndryshimet e bëra në Prokurori me sajesën e Kryeprokurorit të përkohshëm do të sillte këtë situatë. Për ta shpallur të pafajshëm një person duhet që t’i zgjasësh hetimet ose t’i bësh keq ato. Deklaratat e Tahirit janë një formë kërcënuese ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas tij, arroganca e presioni i Tahirit ndaj gjykatës vjen pasi ai ka mbështetjen e Ramës. Më tej Bylykbashi shprehet se dosjet e prokurorëve në Shqipëri janë plot me prova, por nuk veprohet.

“Dosjet e Prokurorisë në Shqipëri janë plot me prova. Prokuroria italiane, ka prova, por jo të mjaftueshme për ta dënuar. Këtë thotë edhe vendimi: Kërkojmë ta mbyllim sepse s’kemi prova të mjaftueshme”, sqaron ai, duke theksuar se në Itali nuk janë hetuar aktivitet kriminale të Tahirit në Shqipëri./tch

 

Të ngjashme