Google ADS

Dorëhiqen ministrat teknikë, ja kujt i takojnë tani kompetencat

16:24 | 16 Gusht 2017
Arbresh.info

Tre muaj pas marrëveshjes “Rama-Basha”, ministrat teknikë të Partisë Demokratike bënë aktin formal të largimit nga Qeveria “Rama”, në të cilën u përfshinë si pjesë e marrëveshjes për të monitoruar nga afër sjelljen e administratës në zgjedhje dhe për të garantuar standardin e tyre.

Partia Demoratike thotë se ky nuk është një objektiv i arritur, sepse sipas kreut të saj Lulzim Basha, Edi Rama i kishte blerë zgjedhjet përpara arritjes së marrëveshjes.

Megjithatë, ministrat teknikë qëndruan në detyrë edhe gati dy muaj pas zgjedhjeve për të hartuar raportin për standardin e zgjedhjeve.

 

Top Channel mësoi se raporti ka përfunduar dhe menjëherë pas tij, ministrat kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet. Për ta bërë këtë, ata nuk i ka penguar mungesa e kryeministrit për shkak të pushimeve, sepse as zëvendëskryeministrja dhe as ministrat teknikë nuk u takuan asnjëherë këto 3 muaj me kreun e qeverisë ku bënin pjesë.

Hallka lidhëse ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet të cilit kalonin vendimet dhe kryhej komunikimi për funksionimin e tyre. Përpara se të jepnin dorëheqjen, disa prej ministrave teknikë i kishin kaluar më parë kompetencat te zëvendësministrat përkatës: ministri i Brendshëm, i Shëndetësisë dhe ajo e Financave.

Por me përfundimin e raportit për zgjedhjet, duke dhënë dorëheqjen, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Qeverinë “Rama” rrëzojnë çdo tezë për një bashkëqeverisje Rama-Basha, për të cilën kreu i opozitës është sulmuar edhe nga kritikët e tij brenda Partisë Demokratike. /TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme