Shqipëria rrezikon të humbasë 2 miliardë euro nga gjyqet në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Një dokument konfidencial që Ministria e Drejtësisë i dërgon kryeministrit Edi Rama zbulon fakte tronditëse mbi rreziqet financiare që po i kanosen vendin nga paditë e kompanive të huaja kundër qeverisë.
Dokumenti, i cili mban datën 10 prill të këtij viti, zbulon se aktualisht në Arbitrazhin Ndërkombëtar po zhvillohen katër procese kundër Shqipërisë. “Vlera totale e dëmshpërblimit që kërkohet nga palët, vetëm për këto katër procese shkon mbi 2 miliardë euro” thuhet në shkresën konfidenciale që Ministria e Drejtësisë i dërgon Kryeministrit.
Këto padi janë rrjedhojë e prishjes së njëanshme të kontratave nga qeveria shqiptare me kompanitë e huaja, edhe pse disa prej tyre kanë qenë të miratuara nga Parlamenti, çka u jep paditësve pozita shumë të forta në gjyq.
Situatë alarmante
Edhe pse në shkresë nuk zbulohen emrat e kompanive, që kanë paditur Shqipërinë, burime nga Ministria e Drejtësisë, thonë se një prej çështjeve është ajo e biznesmenit italian Francesco Beccheti, i cili ka paditur qeverinë shqiptare për hidrocentalin e Kalivaçit, por edhe disa çështje të tjera.
Me tone alarmuese Ministria e Drejtësisë kërkon nga Kryeministri që të marrë masa urgjente për të parandaluar një krizë, e cila do të kishte pasoja të rënda për financat e shtetit.
‘Sipas komunikimeve me Avokaten e Përgjithshme të Shtetit ka shumë çështje të tjera në ministritë e linjës, kur kontratat janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga pala shtetërore,” thuhet në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas të dhënave konfidenciale nga Avokatura e Shtetit, vetëm vitin e kaluar Shqipëria u dënua me 70 milionë euro në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
“Një situatë e tillë është shumë shqetësuese dhe me pasoja tepër të rënda, të paparashikuara për financat e shtetit dhe pasurinë publike, e cila kërkon një analizë të thellë për çdo institucion shtetëror,” sugjeron Ministria e Drejtësisë.
Për shkak të situatës tepër të rënduar dhe pasojave katastrofike që i kanosen ekonomisë kombëtare nga humbja e këtyre gjyqeve, Ministria e Drejtësisë i kërkon qeverisë marrjen e një sërë masave.
“Kjo situatë kërkon analizë të thellë dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sidomos në rastin e humbjes së proceseve të arbitrazhit, pasi mund të përbëjnë elementë të veprave penale dhe personat përgjegjës duhet të vihen para përgjegjësisë,” propozon Ministria e Drejtësisë.
Po kështu ajo i rekomandon kryeministrit që të mos lejojë asnjë kontratë të zgjidhet në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar më parë me Avokaten e Shtetit.
Për ato kontrata për të cilat ka filluar zgjidhja, Ministria rekomandon pezullimin e menjëhershme dhe hartimin e një plani specifik të koordinuar, ndërsa koncesionet e reja që lidhen të trajtohen me kujdes të shtuar.
“Sa më sipër është urgjente marrja e masave dhe adresimi i situatës për angazhimin me përgjegjshmëri jo vetëm të Avokaturës së Shtetit dhe ministrive të linjës për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar,” përfundon dokumenti konfidencial./Syri.net
Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinie...
Kurti nesër pas mbledhjes së Qeverisë organizon pritjen për ...
“Shkon këndon nëpër kafet e Komoranit”, Xheneta tregohet e a...
Kurti, Çeku e Sokoli vizitojnë Lirinë e Prizrenit, diskutojn...
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...