Ditët e Kujtesës së Qendresës Kundër Krimeve të Komunizmit u hapën sot në qytetin e Shkodrës nga Memoriali kushtuar viktimave të komunizmit me homazhe nga qytetarë dhe ish të burgosur dhe të përndjekur politikë të regjimit komunist.
Memoriali është ndërtuar në vitin 2018 dhe është i vetmi në Shqipëri kushtuar viktimave të krimit komunist. Duke folur në emër të Shoqatës së ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, Filip Guraziu, tha se ende nuk është bërë sa duhet për zbardhjen e krimeve te komunizmit në Shqipëri.
“Fatkeqësisht, gjatë 33 viteve të fundit jemi ballafaquar me një indiferencë të qëllimshme të politikës shqiptare për kujtesën historike të krimit komunist.Si mundemi ne të harrojmë 6 mijë e 27 shqiptarë të vrarë dhe pushkatum, 984 shqiptarë të vdekur në burgje, 308 shqiptarë të sëmurë prej torturave në hetuesi dhe që i kanë kaluar në psikiatri?”
Pas Shkodrës, Ditët e Kujtesës së Qendresës Kundër Krimeve të Komunizmit do të vazhdojnë në ish burgun e Qafë Barit dhe atë të Spaçit në përkujtim të revoltave të ish të burgosurve politikë në këto burgje.
Zenel Drangu, i cili sot drejton Shoqatën e ish të burgosurve politikë të Shkodrës, ka vuajtur dënimin për arrastisje në ish burgun e Spaçit. Ai tregon për vuajtjet që kaluan ish të burgosurit e këtij burgu famëkeq.
“Revolta e Spaçit ishte si rezultat i trajtimit çnjerëzor me punë skllavëruese dhe ushqimit shumë të dobët. Që t’i thuash tjetrit të jetojë me 3.5 gram voj, 7 gram sheqer dhe 8 gram oriz kjo nuk mund të imagjinohet. Dhe më duket çudi se si kemi mbijetu”.
Në fillim të këtij viti qeveria shqiptare vendosi kthimin në muze të ish burgut të Spaçit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hedhur për konsultim publik draft-planin për menaxhimin e tij, i cili synon t’i japë jetë godinave thuajse të shkatërruara, të cilat sot ruajnë një peshë të rëndësishme të kujtesës historike. Por ish të burgosurit politikë po kundërshtojnë idenë e ndërtimit të këtij muzeu në Rrëshen apo në Rreps, buzë Rrugës së Kombit.
“Kam qenë shumë herë në takime të ndryshme dhe kundërshtija jonë është se muzeun nuk duan ta bëjnë tek ish burgu. Në rast se muzeu nuk bëhet tek ish burgu, atij i humbet interesi, se njerëzit shikojnë muzeun dhe pastaj nuk shkojnë për të parë vuajtjet tek ish burgu. Muzeun kërkojnë ta bëjnë, o në Reps, o në Rrëshen, gjë për të cilën ne nuk jemi dakort”.
Muzeu i ish burgut të Spaçit parashikohet të ndërtohet në tre faza, brenda vitit 2025, me një fond prej rreth 4.2 milion eurosh. Ai kërkon ta bëjë të vizitueshëm ish burgun, si zonë muzeale dhe simbol të kujtesës së krimeve të regjimit komunist./VOA
LDK në Podujevë garon me shtatë kandidatë këto zgjedhje, pub...
Turqia dënon ashpër sulmin në kanalin e ujit, në veri të Kos...
Rashiq: Grupet kriminale nuk ekzistojnë më në veri, sulmet j...
“Serbia reagoi shumë shpejtë, ngjalli dyshime se sulmi ishte...
Shpërthimi në veri: Osmani takon Maqedoncin, Jasharin dhe Aj...
Maqedonci: Akti kriminal në veri ka qenë i planifikuar, sulm...