Google ADS

Ditëlindja e PS! 27 vite të historisë së partisë më të votuar në Shqipëri

19:55 | 12 Qershor 2018
Arbresh.info

Kanë kaluar 27 vjet nga 12 qershori i vitit 1991, kur Partia e Punës vendosi t’i përshtatej kohës së re, duke ndryshuar emër per t’u ndare nga e kaluara. Lindi Partia Socialiste e Shqipërisë, me kryetar Fatos Nanon, që shumë shpejt do të kalonte në një opozitë të vështirë.

Socialistët të paragjykuar për të kaluarën e tyre të afërt u përballën me nevojën për ndryshim, por edhe sjelljen e ashpër të pushtetit. Viti 1992 solli për herë të parë Partinë Demokratike në pushtet. Sali Berisha u bë President i Republikës, ndërsa brenda pak kohësh ai që konsiderohej kreu i opozitës, përfundoi në burg, i dënuar me 12 vjet vjet heqje lirie për shpërdorim detyre.

Fatos Nano drejtonte PS nga qelitë e Bënçës dhe komunikonte me udhëheqjen e përçarë me anë të letrave. Kjo është periudha më e vështirë e kësaj partie të re dhe të vjetër deri në fitoren që arriti në vitin 1994 me referendumin e Kushtetutës.

Në zgjedhjet e vitit ‘96 socialistët akuzuan Berishën për manipulime masive, duke u tërhequr nga gara. Ndërkombëtarët duket se i mbështetën, duke kërkuar përsëritjen e tyre në një pjesë të mirë të vendit, ndërsa opozita doli në rrugë të protestonte, ku u gjakos në përplasjet me policinë.

Me trazirat sociale të vitit ’97, Fatos Nano doli nga burgu i shkatërruar i Bënçës, ndërsa socialistët erdhën në pushtet. Një grusht shteti në vitin ‘98 bëri që Nano të largohej nga qeveria dhe si kryetar i partisë nisi lëvizjen e famshme për katarsis.

Konfliktet e brendshme nuk gjetën paqe dhe Ilir Meta shkëputet duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në vitin 2004. Ndarja i dha pasojat në zgjedhjet e vitit 2005, kur PS humb dhe del në opozitë.

Nano largohet nga partia, drejtimin e të cilës e merr Edi Rama, që ndonëse në opozitë arrin të fitojë edhe një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2007.

Katër vjet më pas, fitorja për pak vota e Lulzim Bashës e detyron kryesocialistin të merret ekskluzivisht me çështjet e partisë, të cilën e rikthen në pushtet në vitin 2013, vetëm duke u ribashkuar me atë pjesë të cilën kishte humbur rrugës, LSI-në.

Me zgjedhjet e fundit, në qershorin 2017 PS arriti të merrte të gjithë tepsinë e pushtetit për vete, duke treguar se mund ta mbante atë edhe me një krah. Historia e socialistëve vijon, duke mbetur sërish forca më e madhe politike në vend dhe ajo që ka krijuar edhe më shumë histori.

Të majtët shqiptarë në të gjitha zgjedhjet kanë treguar se janë shumica, por loja dhe lufta e fortë brenda llojit ka krijuar një histori të gjatë konfliktesh.

Socialistët sot festojnë ditëlindjen e tyre të 27-të, por për disa kjo është e ditëlindja e 77-të./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme