Google ADS

Dita e Rinisë, Meta: Mirënjohje të gjithë studentëve!

09:24 | 8 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë në Shqipëri.

Kreu i Shtetit, inkurajon dhe mbështet rininë e sotme, veçanërisht studentët që të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Meta shkruan:

Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës.

Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.

Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar.

Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri.??

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme