Dita e Arbëreshëve, mbajtur në kuadër të Samitit të III të Diasporës, dedikuar arbëreshëve që kanë ruajtur zakonet, traditën dhe gjuhën shqipe, edhe pse janë integruar tërësisht në Ital, u përmbyll me deklaratën për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Përmes kësaj deklarate, Shqipëria dhe arbëreshët angazhohen për të gjetur rrugë dhe instrumente të reja që nxisin jo vetëm transmetimin ndër breza të gjuhës, artit dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të vendosur dhe konsoliduar lidhjen mes arbëreshëve dhe komunitetit më të ri të shqiptarëve të Italisë.
Deklaratë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe
Të mbledhur sot, më 22 nëntor 2023, në Tiranë, në Ditën e Arbëreshëve – Samiti III i Diasporës, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësues të rajoneve italiane ku shtrihet komuniteti arbëresh, Puglia, Calabria, Basilicata, Abruzzo, Sicila, Molise dhe Campania, përfaqësues të komunave arbëreshe në të gjithë territorin italian, akademikë, studiues, publicistë, gazetarë, artistë dhe shkrimtarë, aktorë publikë dhe privatë, sipërmarrës dhe shumë qytetarë italianë arbëreshë, diskutuam dhe celebruam Ditën Arbreshe, këtë thesar të paçmuar të popujve dhe vendeve tona, me dëshirën dhe synimin për t’u angazhuar më fort dhe për të gjetur rrugë të reja që do të duhet të përshkojmë, që kjo pasuri të trashëgohet, ruhet dhe zhvillohet me dashuri dhe përkushtim për brezat që do vijnë, dhe i drejtohemi: Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella, Presidentit të Senatit të Republikës Italiane, Senator Ignazio La Russa, Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, te Nderuarit Lorenzo Fontana, Presidentit të Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, Giorgia Meloni.
Miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë rrjedh nga një marrëdhënie historike mes popujve tanë, ku një vend të pazëvendësueshëm zënë Arbëreshët e Italisë.
Ky shkëmbim i vazhdueshëm në shekuj mes kulturave dhe qytetërimeve shqiptare dhe italiane është mbështetur dhe frymëzuar gjithmonë nga drita e shejzave arbërore, e cila, edhe në kohët më të errta për kombin shqiptar, rrezatoi duke ngjallur shpresë e dashuri për mëmëdheun.
Shqiptarë për nga origjina dhe italianë prej më shumë se 500 vjetësh, “gjaku ynë i shprishun” ruajti me krenari gjuhën e të parëve, traditat arbërore, figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe ritet fetare, duke dhënë, në të njëjtën kohë – me kurajo dhe idealizëm – një kontribut të rëndësishëm ne lindjen dhe bashkimin e Italisë, dhe po aq ne Rilindjen dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Falë kujdesit dhe vëmëndjes se shtetit italian, Arbërishtja renditet mes gjuhëve të mbrojtura nga Kushtetuta. Ne vlerësuam Ligjin 482/1999 për pakicat gjuhësore në Itali dhe çështjet për zbatimin e tij në rastin e gjuhës arbëreshe.
Përshëndesim dhënien e hapësirës në RAI, të transmetimit të emisioneve radiofonike dhe televizive në gjuhën arbëreshe, dhe e vlerësojmë si hap tjetër domethënës në mbrojtje dhe promovim të kulturës arbëreshe. Me synim konsolidimin e lidhjeve me botën arbëreshe, diskutuam mbi angazhimin e Qeverisë shqiptare për hartimin e një marrëveshje të posaçme me Qeverinë italiane dhe rajonet italiane ku jeton minoranca gjuhësore arbëreshe, në zbatimin e mëtejshëm të Ligjit për pakicat gjuhësore, për të mbështetur mësimin e gjuhës arbëreshe dhe ruajtur trashëgiminë kulturore, për t’i dhënë rrugë formimit të mësueve të gjuhës arbëreshe, me synimin që ajo të shndërrohet në gjuhë kurrikulare në shkolla dhe për promovimin e kulturës arbëreshe në çdo familje, përfshirë ato të komunitetit më të ri të shqiptarëve.
Bashkëpunimi akademik dhe universitar duhet të shkojë përpara për të forcuar katedrat e gjuhës dhe letërsisë shqipe në të gjitha universitetet, laboratorë të mirëfilltë të shkencës albanologjike, dhe për çeljen e qendrave të tjera. Sistemi ynë arsimor duhet të kontribuojë për të mundësuar krijimin e një shkolle për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën tonë të përbashkët. Bashkëpunimi mes aktorëve të shoqërisë civile është një vektor tjetër që synohet të orientohet drejt forcimit të lidhjeve mes Arbërisë italiane dhe Shqipërisë dhe hapësirës shqipfolëse në Ballkan.
Shqipëria dhe arbëreshët do të angazhohen për të gjetur rrugë dhe instrumente të reja që nxisin jo vetëm transmetimin ndër breza të gjuhës, artit dhe kulturës arbëreshe, por edhe për të vendosur dhe konsoliduar lidhjen mes arbëreshëve dhe komunitetit më të ri të shqiptarëve të Italisë.
Synohet koordinimi i veprimit të akademive të shkencave të vendeve të rajonit të Ballkanit për zhvillimin e një programi të përbashkët, po ashtu, edhe ndërveprimi i Dhomave të Tregtisë dhe industrisë me ato arbëreshe, si dhe turizmi historik, kulturor, shkencor, etj. Le të konsiderojmë bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve dhe mjediseve akademike për regjistrimin e iniciativës “Moti i Madh” në listën e UNESCO-s, si hapin e parë të këtij angazhimi që do të formësohet me një marrëveshje të posaçme dhe do të vijojë edhe më marrëveshje të tjera bashkëpunimi në të gjitha sektorët me interes për të dyja palët.
/ rtsh.al /
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora