Policia e Shtetit doli në një deklaratë pasditen e sotme në lidhje me rastin e Fushë Krujës, duke bërë të ditur se është pezulluar oficeri i policisë Gentian Çitozi, i cili nuk ka marrë denoncimin e vajzës në prani të Rexhep Rrahjas.
Në deklaratë thuhet se Policia ka vazhduar hetimet pavarësisht tërheqjes së kallëzim nga ana e vajzës, madje është referuar edhe në prokurori si rast.
“Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar sipas ligjit sepse ka qenë prezentë edhe Rexhep Rraja dhe oficeri është pezulluar. Më pas është marrë kallëzimi i vajzës. Pavarësisht kërkesës së shtetases që është tërhequr nga kallëzimi, policia ka vazhduar me çështjen. Çdo masë e ndalimit nuk është kompetencë e policisë. Policia nuk e ka ndaluar hetimin, por e ka referuar atë në prokurori”, tha Policia e Shtetit.
Deklarata e plotë e drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj
Jemi sot këtu për të informuar lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit në trajtimin e çështjes që lidhet me shtetasen Xhisiela Maloku.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, përmes Drejtorisë së Standardeve kreu një hetim administrativ të të gjithë veprimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në trajtimin e kësaj çështje.
Në përfundim të këtij procesi sqarojmë në mënyrë kronologjike se :
Pasditen e datës 21 Korrik 2018 rreth orës 17, pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë është paraqitur shtetasja Xhisiela Maloku e cila ka depozituar kallëzim ndaj shtetasit Rexhep Rraja për përndjekje dhe kanosje me mesazhe telefonike.
Për shkak të përgjegjësisë territoriale të vendbanimit kësaj shtetaseje, në të njëjtën ditë në orën 21.40 pranë Stacionit të Policisë së Fushë-Krujës, shtetasja Xhisiela Maloku është thirrur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi për të dhënë deklarimin e saj lidhur me ngjarjen. Kjo është bërë publike edhe nga komunikata ditore e Policisë së Shtetit e datës 22.07.2018 të cilën mund ta verifikoni në çdo moment duke vizituar faqen e internetit të Policisë së Shtetit.
Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për marrjen në pyetje të një shtetasi, pasi prezent ka qenë edhe shtetasi Rexhep Rraja i cili është personi nën hetim, me pretendimin se palët janë pajtuar midis tyre.
Për këtë arsye oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit
dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA.
Ditën e Hënë më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018.
Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre.
Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja.
Sqarojmë se marrja në pyetje e shtetasit Rexhep Rraja, marrja e tabulateve si dhe kqyrja e telefonit për këtë shtetas, ka qenë detyra e parë e deleguar nga Prokurorja e çështjes, dhe që nuk janë zbatuar.
Pavarësisht kërkesës për heqje dorë nga kallzimi i vet shtetases Maloku dhe kërkesës për ta tërhequr denoncimin, drejtuesi i Komisariatit të Policisë Krujë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kallëzimi dhe duke vlerësuar faktet dhe rrethanat e tjera të lidhur me to, nuk ka lejuar ndërprerjen e hetimit.
Pra, ndryshe nga sa paraqitet në media, shtetasja Maloku është tërhequr nga kallëzimi kurse policia nuk është tërhequr nga hetimi i çështjes.
Madje brenda 24 orëve ka vazhduar procedurën me Prokurorinë. Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji jua njeh këto të drejta vetëm Prokurorit dhe Gjykatës.
Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga policia. Situatat e krijuara nga tërheqja e denoncimit të shtetases, nuk i kanë dhënë policisë mundësi ligjore për të ofruar urdhërin e mbrojtjes.
Në përmbledhje të sa më sipër:
– Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi është pezulluar nga detyra dhe është proceduar penalisht për shkelje të procedurave standarde të punës së oficerit të policisë;
– Pavarësisht se shtetasja Maloku ka tërhequr denoncimin dhe në çdo rast policia duhej të kishte ndaluar hetimin, policia jo vetëm që nuk e ka ndaluar hetimin por për shkak të vlerësimit të situatës Policia e ka referuar çështjen në Prokurori.
– Policia e Shtetit i ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe çështja është tashmë nën hetim nga Prokuroria.
I gjithë dokumentacioni konform Kodit të Procedurës Penale gjendet në dosjen hetimore.
Policia e Shtetit është e vendosur për përmbushjen e misionit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe veçanërisht të garantojë mbrojtjen e duhur ndaj grave dhe vajzave.
Top Channel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...