Google ADS

Dhjetori, tjetër shans për integrimin në BE

18:45 | 8 Shtator 2020
Arbresh.info

Ka ende shpresa që kapitujt e parë të negociatave për Shqipërinë të hapen brenda këtij viti gjatë presidencës gjermane të Këshillit të BE-së. Për këtë u shpreh optimist komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi, që nga ana tjetër i bëri të qartë Tiranës dhe Shkupit, se çdo përparim në rrugën e integrimit varet plotësimi i kushteve dhe zbatimi i reformave.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin Olivér Várhelyi, nuk i ka humbur shpresat për hapjen e kapitujve të parë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në dhjetor brenda periudhës së presidencës gjermane.

Gjatë një fjalimi në Berlin si i ftuar në Konferencën e Ambasadorëve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, Várhelyi, e bëri të qartë se çdo hap drejt integrimit europian është i lidhur me reformat në secilin vend kandidat.

“Premtoj që së bashku me presidencën gjermane të hedhim hapa të mëdha përpara për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me të dy vendet. Kjo është e mundur, ndaj le të mbajmë konferencën e parë në dhjetor nën presidencën gjermane,” tha Várhelyi.

Në Komisionin Europian shpresojnë që si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia Veriore të ecin paralelisht në rrugën e integrimit, por ndërsa për Shkupin rruga deri në hapjen e kapitujve të parë është pa pengesa, Shqipëria duhet të kapërcejë disa: nga miratimi me konsensus i reformës zgjedhore, tek ngritja dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë. Në lidhje me kushtet dhe reformat komisioneri Várhelyi ishte i qartë.

“Ne ua kemi bërë të qartë partnerëve tanë se sapo kushtet të plotësohen, ne do të mbajmë premtimet tona, nëse nuk plotësohen kushtet as ne nuk kemi çfarë japim. Por nga ana tjetër kjo do të thotë që të qartësojmë çfarë presim, duke i bërë kriteret e prekshme, të dukshme dhe të matshme, si kurrë më parë,” tha komisioneri.

Në mars të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Europian vendosën të fillojnë bisedimet e pranimet me të dy vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tani vijon ende shqyrtimi i kornizës së negociatave. Procesi hasi disa pengesa dhe u ndesh me kokëfortësinë e vendeve skeptike, të cilat pavarësisht plotësimit të të gjitha kushteve nga Tirana e Shkupi e zvarritën procesin e negociatave./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme