Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u bë e ditur të shtunën (27.10) nga një njoftim i kryeministrit Edi Rama në median sociale, që bën me dije, se ka pranuar dorëheqjen e Ministrit Xhafaj.
Nga postimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duket se arsye për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është kërkesa për “shpejtësi, energji dhe rezultate të reja”. Kryeministri Rama njofton në postimin e tij se në vend të Fatmir Xhafajt është emëruar Gjenerali Sandër Lleshi, për të cilin Rama shkruan, se “do të sjellë një energji të re, pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”
Ministri i ri i Punëve të Brendshme i kualifikuar në Gjermani
Gjenerali Sandër Lleshi, që do të jetë tani Ministër i Brendshëm në Shqipëri, ka kryer kualifikime të larta ushtarake në Gjermani. Ai ka qënë Atashe Ushtarak në Ambasadën e Shqipërisë në Berlin, nga viti 2003-2006. Më herët ka përfunduar kursin e avancuar të gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt), kursin e Shtabit të Përgjithshëm dhe kursin e Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit, në Hamburg. Gjeneral Lleshi ka kryer edhe Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qëndrën për Studime të Sigurisë Europiane George C. Marshall, në Garmisch Partenkirchen, në Gjermani.
Xhafaj një nga arkitektët e reformës në Drejtesi. Pse dha dorëheqjen?
Dorëheqja e Fatmir Xhafës nga posti i Ministrit të Brendshëm vjen e papritur. Vetëm një javë më parë, Policia e Shtetit, strukturë e Ministrisë së Brendshme, zhvilloi me sukses mega-operacionin e parë në Shqipëri për nga përmasat dhe rezultatet: në 12 qytete të Shqipërisë, në të njëjtën kohë u arrestuan anëtarët e 4 grupeve kryesore kriminale të trafikut të drogës, që bashkëpunonin mes tyre si një organizatë kriminale. U shkatërrua laboratori i përpunimit të heroinës, në Has, të qarkut të Kukësit. U arrestuan dy ish-deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, për bashkëpunim me krimin e organizuar të trafikut të drogës.
Pse dha dorëheqjen Fatmir Xhafaj pas suksesit të fundit? Kjo mbetet ende e panjohur. Vetë ish-Ministri Xhafaj, në një pronocim për mediat, të shtunën (27.10) paradite nuk dha asnjë shkak për dorëheqjen e tij. “Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar që në krye të një ekipi me integritet dhe përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi arritur suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej të cilave, të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, tha Fatmir Xhafaj.
Në Maj të këtij viti, Xhafaj hodhi poshtë kërkesën e opozitës për të dhënë dorëheqjen, që pretendonte se ai kishte fshehur dënimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj, në vitin 2002 në Itali për trafik droge dhe e kishte mbrojtur nga drejtësia në Shqipëri, ku i vëllai ishte ekstraduar nga autoritetet italiane.
Para marrjes së postit të Ministrit të Brendshëm në Shtator 2017, në qeverinë Rama 2, Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka qenë një nga arkitektët e Reformës në Drejtësi, kushtit kryesor të BE për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.
Opozita e konsideron dorëheqjen e Fatmir Xhafës si “hap të rëndësishëm të përpjekjeve të sa për të pastruar politikën nga krimi”. Kryetari i PD, Lulzim Basha shkruan në median sociale se “largimi i Fatmir Xhafës është fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”./Deutsche Welle
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...