Dështon përpjekja e Llallës, Apeli lë në fuqi sekuestron e pronave

17:11 | 9 Gusht 2018
Arbresh.info

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron preventive të disa pasurive të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhënë më 20 korrik nga shkalla e parë.
Seanca nisi pas një ankimimi të depozituar nga avokati mbrojtës i Llallës, zoti Sokol Hazizaj, por procesi u zhvillua në mungesë të avokatit mbrojtës, për sa kohë ai ndodhet me pushime.

Gjyqtari i gatshëm dhe që i kishte rënë shorti për shqyrtimin e kësaj çështjeje, kërkoi asistencën e një avokati kryesisht, për të cilin ka qenë e vështirë të gjendet, për sa kohë shumica e avokatëve që gjenden në listën e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë gjithashtu me pushime.

Për këtë arsye seanca u shty për në orën 15:00, e më pas me rifillimin e saj u vendos lënia në fuqi e sekuestrimit të pronave. Akuza u përfaqësua në shkallën e dytë nga prokurori Bujar Sheshi, ndërsa seanca u drejtua nga gjyqtari Idriz Mulkurti.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij, sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.

Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e vettingut, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seance dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej vettingu dhe sigurisht në këtë pikë ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla fitoi.

Tashmë problemet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla burojnë pikërisht nga “godina e qelqtë”, nga e njëjta godinë kur më herët ai drejtonte akuzën dhe gjatë analizave vjetore u kërkonte prokurorëve që të ishin më intesivë në hetimin e korrupsionit./TCH

 

Të ngjashme