Google ADS

Dështojnë negociatat, PD-ja shkon e ndarë në zgjedhjet lokale në Shqipëri

23:13 | 1 Nëntor 2022
E.H

Në Shqipëri, kanë dështuar negociatat mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike (PD),  që kjo parti më e madhe opozitare në vend të shkojë me kandidatë të vetëm në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2023.

Takimi i zhvilluar pasditen e së martës, dështoi dhe secila palë akuzoi njëra-tjetrën për mungesë vullneti.

Grupi parlamentar i PD-së, që njeh si drejtues të partisë Enkelejd Alibeajn, në një deklaratë për mediat shprehu keqardhje për përfundimin pa sukses të bisedimeve dhe akuzoi palën tjetër se vuri në plan të parë interesa të ngushta.

“Në këtë situatë, të mërkurën do të mblidhet Kryesia e partisë për t’i hapur rrugë krijimit të gjitha kushteve për përgatitjet dhe pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet e ardhshme vendore”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq kreu i PD-së, Sali Berisha u tha gazetarëve se grupimi që mbështet Alibeajn nuk duan zgjidhje.

Siç tha ai, ky grupim, nëse dëshiron, mund të krijojnë fraksionin e vet.

“Por ata nuk duan as statutin, as primaret dhe as fraksionin. Ai që prek flamurin e PD-së i ka bërë shumë keq hesapet. Këtë do ta shikoni në ditët në vijim”, deklaroi Berisha.

Më herët, të dy palët deklaruan se do të negocionin për të gjetur kompromisin, në mënyrë që të mos përsëritej ajo që ndodhi më 6 mars të këtij viti, kur u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale.

Në këto zgjedhje, PD-ja doli me dy kandidatë, njëri nga mbështetësit e Sali Berishës dhe tjetri nga mbështetësit e Lulzim Bashës.

Në garën për 6 bashki, PD-ja humbi 5 prej tyre dhe mori vetëm Shkodrën.

Berisha arriti t’i regjistronte kandidatët e tij nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), në atë kohë e drejtuar nga Monika Kryemadhi (bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta).

Pak ditë më parë Sali Berisha firmosi marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet lokale me Partinë e Lirisë, të drejtuar nga ish-presidenti, Ilir Meta.

Dy grupimet brenda PD-së janë në një betejë ligjore, pasi gjykata e shkallës së parë njohu statutin e miratuar nga Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha, në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, kontrollin e PD-së e mori Sali Berisha.

Përplasja ka përfunduar në gjykatën e Apelit, e cila më 3 nëntor do të nisë shqyrtimin e kësaj çështjeje./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme