Dëshmia e biznesmenit të njohur: Nga laboratori i kanabisit merrja 2 mijë euro në muaj

01:49 | 22 Prill 2017
Trina Galanxhi

Zbulimi i një laboratori droge në banesën e biznesmenit të njohur Piro Bare, ka detyruar këtë të fundit të paraqitet në policinë e Fierit dhe të japë deklarime rreth asaj që kishte ndodhur në ambientet e brendshme të vilës së tij.

Para grupit hetimor biznesmeni i gazit njëherësh dhe pronari i Portit të Hidrokarbureve në “Porto Romano” Durrës, ka pohuar se objektin ja kishte dhënë me qira shtetasit me inicialet E.F, tashmë i shpallur në kërkim nga policia e Fierit.

Bare ka sqaruar dhe bindur oficerët e policisë dhe prokurorisë se nuk ka pasur dijeni fare, së çfarë bënte në banesë E.F,pasi ai shumë rrallë shkonte në vilë, për shkak të angazhimeve që kishte në biznes. Më tej Bare ka shtuar se është ndjerë i mashtruar nga E.F, i cili në lidhjen e kontratës noteriale për marrjen me qira të vilës, pranonte se do e shfrytëzonte objektin për qëllime biznesi dhe zyra.

Por e kundërta ka ndodhur, pasi E.F, e ka kthyer vilën luksoze në një laborator të rregullt droge, për kultivimin e sasive të mëdha të kanabisit. Bare i ka vënë në dispozicion prokurorisë dhe policisë së Fierit një kopje të kontratës noteriale, e cila mban datën 13 shtator 2016 dhe ka një afat të përcaktuar një vjeçar, pra deri në 13 shtator 2017.

Por brenda 8 muaj qiramarrësi e ka kthyer vilën në një laborator të vërtetë droge. Po kështu në këtë kontratë është përcaktuar dhe qiraja mujore, e cila ka vlerën e 2000 euro në muaj.

Piro Bare, ka deklaruar gjithashtu se pagesat e qeras bëheshin nëpërmjet bankës dhe jo dorazi. Pritet që në vijim të hetimit, prokuroria do verifikojë dhe listëpagesat që ka bërë ose jo shtetasi E.F, në drejtim të llogarive të biznesmenit Piro Bare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme