Deputeti kërkon kthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri: Kush prek fëmijërinë, të varet në mes të qytetit!

10:35 | 4 Qershor 2020
Arbresh Info

Rasti i përdhunimit të 15-vjeçares në Babrru nga ish-roja i shkollës dhe tre adoleshentë hapi punimet e seancës plenare.

Ishte deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri, i cili doli me një propozim për kryetarët e grupeve parlamentare për të diskutuar kthimin e dënimit me vdekje.

Me tone të ashpra, Valteri tha se kush prek fëmijërinë nuk meriton të jetojë dhe duhet varur në mes të qytetit.

Halit Valteri: Kemi parë një nismë që është marrë nga zonjat kolege të PS për manifestimin që do të bëhet në 4 pasdite për fëmijërinë e vjedhur. I bëj thirrje zotit Balla, zoti Murrizi, zotit Musai dhe Stojku duhet të saknsionojë me ligj të gjithë bashkë, na kanë lënë mbrapa këto konventa ndërkombëtare, kush përdhunon fëmijë, kush është pedofil të varet në mes të qytetit. Nuk do të hyjmë në Europë nga kjo gjë. Kush prek fëmijërinë të varet midis qytetit, ta rikthejmë edhe njëherë dënimin me vdekje. Këta maskarenj nuk meritojnë të jetojnë, të zhduken nga faqja e dheut.

Por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke mirëkuptuar indinjatën e zotit Valteri tha se kthimi i dënimit me vdekje nuk është zgjidhje për fenomenin.

Gramoz Ruçi: Është e mirëkuptueshme indinjata e zotit Valteri për rastin, janë të gjithë deputetët dakort por këtë nuk e zgjidh propozimi për kthimin e dënimit me vdekje. Sot në seancë do të ketë edhe një propozim të Ministres së Arsimit për çështjen.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme