Google ADS

Deputetët me maska dhe doreza, kush nuk zbaton etikën në komisione përjashtohet

15:39 | 11 Prill 2020
Arditë Shkodra

Ashtu sic ishte njoftuar në datën 16 prill në orën 10:00 do të nisë punimet Kuvendi. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është miratuar edhe rregullorja që do të zbatohet nga të gjithë deputetët, për shkak edhe të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Konferenca e kryetarëve ka vendosur që seanca të zgjasë 120 minuta, ku 70 minuta janë në dispozicion të shumicës dhe 50 minuta në dispozicion të pakicës.

Masat kundër koronavirusit

-Në hyrje të Sallës së Seancave do të bëhet matja e temperaturës nga personeli mjekësore prezent ne sallë. Punonjësit e Administratës së Kuvendit do të pajisin deputetët me maska e doreza.

-Në Sallën e Seancave do të jenë vetëm punonjësit e domosdoshëm të administratës të pajisur me maska dhe doreza.

-Garda e Republikës do të jetë me numër të reduktuar dhe të pajisur me maska dhe doreza.

-Deputetët e pranishëm do të pozicionohen në sallë, llozhat anësore të katit të parë dhe katit të dytë si dhe galerinë e sipërme të sallës.

Seanca do transmetohet nga TVSH

Seanca plenare do të transmetohet live nga TVSh e cila do të prodhojë sinjal për të gjitha televizionet.

Komisionet parlamentare online

Ju bëj me dije gjithashtu se mbledhjet e komisioneve parlamentare duke filluar nga java e ardhshme do të transmetohen drejtpërdrejtë on line në faqen zyrtare të Kuvendit në internet.

Kush nuk zbaton etikën përjashtohet nga mbledhja

Lidhur me këtë, Kryetari i Kuvendit në mbledhjen e Konferencës solli në vëmendjen e anëtarëve të Konferencës respektimin e rregullave të mëposhtme:

1- Duhet të kihet kujdes e të ruhet etika në komunikim nga deputetët gjatë zhvillimit të mbledhjes online.

2- Deputetët duhet të gjejnë një vend të përshtatshëm (sfondi) komunikimi gjatë zhvillimit të mbledhjes.

3- Kryetari i komisionit ka të drejtë të përjashtojë nga mbledhja deputetin i cili nuk zbaton rregullat e mësipërme.

Dokumentacionin parlamentar për çështjet e planifikuara për seancën e datës 16 prill do ta merrni si gjithmonë me anë të postës elektronike./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme