Google ADS

Dënohet ish-komisari i policisë që përplasi për vdekje me gomone 7-vjeçaren në Himarë

21:25 | 22 Maj 2024
KRG

Gjykata e Faktit e Vlorës dënoi të mërkurën me 18 vite burg ish-komisarin e policisë Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me një mjet lundrimi me dy motorrë 7-vjeçaren Jonada Avdia, në gusht të vitit 2022, në bregdetin e Himarës.

Arjan Tase u shpall fajtor për “vrasje me dashje”, por gjykata saktëson në vendimin e saj se, në bazë të Kodit Penal, Arjan Tases i ulet një e treta e dënimit , duke u dënuar përfundimisht me 12 vite burgim.

Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar pak kohë më parë deklarimin fajtor dhe dënimin me 15 vite burg për ish komisarin e policisë.

Sipas Prokurorisë, në gusht të vitit 2022, “pasi Arjan Tase ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin’.

Avokatët mbrojtës të Arjan Tases, kanë kërkuar kualifikimin e veprës penale si “Vrasja nga pakujdesia”.

Në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Vlorës ndau gjykimin ndaj komisarit të policisë nga gjykimi i 8 punonjësve e tjerë të policisë së Himarës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me këtë ngjarje.

Vrasja e 7-vjeçares shkaktoi dy vite më parë reagime të forta për sigurinë në plazhet shqiptare dhe një protestë qytetare të cilat i detyruan autoritetet të rishikonin kuadrin ligjor dhe masat për rregullat e lundrimit në det dhe sigurinë e pushuesve në Shqipëri./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme