Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi sot një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje u zhvillua në kuadër të planit të punës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave institucionale ndërmjet dy vendeve.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka përshëndeti botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Lidhur me unifikimin e teksteve mes dy vendeve, Açka tha se, “do të duhen 10-vjeçarë për të arritur aty ku duam ne që të unifikojmë gjithçka.”
“Ajo që ne mund të unifikojmë dhe ta fillojmë mund të jetë historia, letërsia dhe gjuha shqipe. A mundet që këto tre tekste që janë bërthama e kombit ne t’i fillojmë t’i unifikojmë? Ky është propozimi im, i përbashkët, nëse mundet që t’ua propozojmë ministrive tona korrespondente dhe ta vazhdojmë në grupe të vogla se si mund të arrijmë në një relacion që t’ia propozojmë qeverive tona”, tha deputetja e Partisë Demokratike.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola tha se “jemi sot këtu për një arsye të përbashkët fuqizimin e rolit të parlamentit dhe komisionit në raport me ekzekutimin”.
“Dy vendet tona kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh dhe është roli ynë si komisione që të luajmë një rol më aktiv në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Mund të bëjmë më shumë për jetësimin e këtyre marrëveshjeve, që të kemi një projekt të përbashkët të fuqizimit të dy shteteve në rajon dhe më gjerë”, tha Gola.
Duke folur për unifikimin e teksteve shkollore, Gola tha se, “ende nuk i kemi të harmonizuara kurrikulat e lëndëve të historisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë. Mendoj se politika e të dy shteteve duhet të jetë e fokusuar në mënyrë dërrmuese tek fuqizimi dhe ruajtja e lidhjes afektive të diasporës me vendet e tyre amë”.
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...