“Deklarimi i pasurisë së Rovena Gashit nuk është i saktë”

10:21 | 20 Korrik 2018
Arbresh.info

Rovena Gashi nuk u paraqit në seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), madje nuk u përfaqësua as nga avokati.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se Rovena Gashi ka nisur punë në vitin 2001. Në lidhje me vlerësimin e pasurisë, raporti i ILDKPKI thotë se deklarimi i pasurive të Rovena Gashit nuk është i saktë, ka mungesë për të justifikuar pasuritë.

Rovena Gashi zotëron një apartament te Shkëmbi i Kavajës me sipërfaqe 105 metra katrorë, i blerë në bashkëpronësi nga bashkëshortët Rovena Gashi e Dritan Gina, për 80 mijë euro. Në deklaratën e kontratës thuhet se do të paguhej në dy këste. Kësti i parë prej 30 mijë euro është paguar paraprakisht. Ndërsa kësti prej 50 mijë eurosh do të paguhej brenda vitit 2011 përmes një transferte bankare. Përsa i përket burimit finnanciar, shuma prej 45 mijë eurosh është marrë me kredi. Ndërsa shuma prej 35 mijë eurosh është dhënë me çmim preferencial nga Oliver Fucina, përfaqësues e ortak i kompanisë ndërtuese dhe kunat i prokurores. Ai e ka ulur çmimin duke falur 35 mijë eurot.

Rezulton se ka mospërputhje mes çmimit për blerje të apartamentit, nuk ka deklaruar burime të ligjshme për këtë blerje, që nga pagesa e parë prej 30 mijë eurosh e më pas edhe për burimin prej 50 mijë eurosh. Sipas KPK-së, janë bërë deklarime të pasakta, janë kryer akte fiktive noteriale dhe janë dhënë përgjigje të pasakta për pyetjet e KPK-së.

Gjithashtu ka një apartament 121 metra katrorë në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë. Prokurorja deklaron se banesën ia ka dhuruar i ati, Nuredin Gashi. Apartamenti është regjistruar më 20 nëntor 2013. Në 2 janar 2018 është konfirmuar për KPK-në se kjo pasuri është në emër të bashkëshortëve. Në kontratë është caktuar shuma prej 38 mijë e 800 dollarë, por rezulton se deklarata e dhurimit e bërë nga babai i prokurores nuk përmban elementët formalë. Përveç kësaj, apartamenti në fjalë nuk është deklaruar asnjëherë si pasuri nga Rovena Gashi, ndërsa babai i saj, në vitin 2004 nuk ka patur burime finnaciare për blerjen e apartamentit prej 38 mijë dollarësh që më pas ia ka dhuruar së bijës prokurore./top channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme