Google ADS

Dëborë deri në 30 cm në juglindje të Shqipërisë, bllokohen rrugët dhe disa fshatra mbesin pa energji

09:34 | 1 Dhjetor 2024
E.H

Reshjet e shumta të dëborës që kanë përfshirë juglindjen e Shqipërisë kanë krijuar një situatë të vështirë, duke shkaktuar bllokime të rrugëve dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona.

Trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm në lartësitë mbi 800 metra, duke krijuar probleme serioze për qarkullimin e mjeteve.

Një nga zonat më të prekura ka qenë Korça, ku në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm, veçanërisht në majën e Bigllës, raporton A2cnn.

Autoritetet rrugore kanë reaguar menjëherë për të mbajtur akset të hapura, duke dërguar më shumë se 15 mjete borëpastruese, të cilat kanë punuar gjatë natës për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve Korçë – Dardhë, Korçë – Voskopojë, Kamenicë – Ersekë dhe Zëmblak – Dogana e Goricës së Madhe.

Sakaq, aksi nga Maja e Qafë Qarrit deri në hyrje të Ersekës është bllokuar nga bora, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qarkullimin. Për këtë arsye, autoritetet rrugore kanë kërkuar që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugën e vjetër, e cila është e kalueshme pa probleme.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik, duke ndërprerë furnizimin me energji në disa fshatra të njësive administrative Vithkuq dhe Lekas në bashkinë e Korçës, si dhe në Leskovik, në bashkinë e Kolonjës.

Pas këtyre dëmeve, grupet e OSHEE-së janë angazhuar në terren për të riparuar rrjetin dhe për të rikthyer energjinë elektrike në zonat e prekura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme