Dashuria për malet, Meta rrëfen objektivin: Do ngjis majën më të lartë të Shqipërisë

21:33 | 18 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot për emisionin “Kojshia Shoë” të gazetarit Sadri Imeri në RTV21 ka dhënë sot disa detaje të pushimeve të tij malore, duke ndarë me teleshikuesit dhe disa nga objektivat e tij sportive që lidhen me ngjitjen në male por dhe ato për promovimin e turizmit.

“Sivjet pas këtyre dy javëve në Prevallë kam objektiv të ngjis majën e Korabit, që është maja më e lartë e Shqipërisë. Kjo më jep një kënaqësi të veçantë, sepse dashuria për malet është e lindur, meqenëse kam lindur në malet e Skraparit.
Duhet të jemi më krenar për malet tona, për bukuritë që kemi, që na i mësuan më shumë çekët, polakët dhe turistët e tjerë që t’i rivlerësojmë. Unë jam i lumtur që u jam rikthyer maleve dhe përpiqem t’i promovoj bukuritë e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës e të rajonit”, – është shprehur Meta.

Gazetari (Sadri F. Imeri): Shikues të dashur të televizionit “RTV 21”, mirëserdhët në sezonin e ri të emisionit “Kojshia Shoë”. Jemi në Prevallë dhe kemi takuar një kojshi tonin shumë të mirë, është njeri shumë karizmatik, një njeri shumë i veçantë. Është një burrështetas i njohur i kombit shqiptar, me ne sonte është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Ilir Meta.

Faleminderit që pranuat ftesën zoti President! Ilir Meta, a ndihesh krenar që të gjithë shqiptarët kanë prejardhjen prej emrit tënd, domethënë ilirëve?

 Presidenti Meta: Jo, emri im vjen nga prejardhja e të gjithë shqiptarëve, kështu që kjo është rruga më e saktë për të bërë interpretimin e duhur dhe padyshim që jam krenar.

 Gazetari:Si po ndiheni në Prevallë?

 Presidenti Meta: Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të rikthehem në Prevallë pas pushimeve që pata këtu një vit më parë. Fakti që jam rikthyer do të thotë se ndihem shumë mirë….

 Gazetari:Rikthim në përrallë, siç e keni shkruar në “Facebook”. Çfarë do të thotë kjo?

 Presidenti Meta: Po, për mua është një përrallë, sepse është një bukuri e jashtëzakonshme, me një klimë mjaft çlodhëse dhe inkurajuese. Në të gjitha drejtimet këtu njeriu, jo vetëm çlodhet, por edhe frymëzohet, edhe merr forca të reja.

 Gazetari:Zoti President, këtu në Prevallë thonë që bëhet bashkimi i disa rrymave ajrore. A do të thotë kjo që nëse vijnë të gjithë liderët politikë këtu mund të bëhet edhe bashkimi i tyre?

 Presidenti Meta: Padyshim, pse jo. Prevalla është në një pozicion strategjik në të gjitha drejtimet, jo vetëm të klimave apo të rrymave ajrore, por shumë pranë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe gjithashtu është fqinje me disa bukuri të tjera përrallore, siç është Brezovica dhe shumë të tjera. 

Gazetari:Kam një kritikë për ju. Nëpër intervista Ju i përshëndesni vetëm qytetarët, neve katunarëve nuk na përmendni kurrë. A jemi pjesë e këtij vendi? “Të nderuar katunarë”, mund të thoni….

 Presidenti Meta: Unë vetë jam malësor sepse kam lindur në lartësi shumë të madhe mbi nivelin e detit, në malet e Skraparit. Nëse them qytetarë kjo është pa bërë dallime të tilla sa i takon origjinës, por unë gjithmonë e kam shprehur se jam krenar që jam malësor.

 Gazetari:Më kanë thënë që gjatë jetës së tij në politikë Ilir Meta nuk i ka humbur kurrë zgjedhjet. E vetmja gjë që ka humbur është pesha…

 Presidenti Meta: Në politikë nuk mund të fitosh gjithmonë si në çdo fushë të jetës, pra ka edhe dështime, ka edhe humbje, por e rëndësishme është që edhe nga humbjet të mësosh për të ardhmen dhe unë jam përpjekur të mësoj, jo vetëm nga dështimet e mia, por edhe të kundërshtarëve të mi. 

Gazetari:Por kryesorja është që keni humbur peshë së fundmi…

 Presidenti Meta: Padyshim dhe jam shumë i lumtur. Ngjitja nëpër male, aktiviteti fizik më ndihmon shumë për këtë qëllim. I jam shumë mirënjohës Prevallës, sepse vjet pas 12 ditësh këtu, me ecje intensive, pata kënaqësinë dhe mundësinë të ngjitesha në majën e Jezercës, që është pika e dytë më e lartë e Shqipërisë dhe maja më e lartë e Bjeshkëve të Namuna.

Dhe sivjet pas këtyre dy javëve në Prevallë kam objektiv të ngjis majën e Korabit, që është maja më e lartë e Shqipërisë. Kjo më jep një kënaqësi të veçantë, sepse dashuria për malet është e lindur, meqenëse kam lindur në malet e Skraparit.

Duhet të jemi më krenar për malet tona, për bukuritë që kemi, që na i mësuan më shumë çekët, polakët dhe turistët e tjerë që t’i rivlerësojmë.


Unë jam i lumtur që u jam rikthyer maleve dhe përpiqem t’i promovoj bukuritë e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës e të rajonit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme