Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019.
Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme që vazhdojnë në Shqipëri.
Në vitin 2016, qeveria shqiptare miratoi ndryshime gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i reformës së gjyqësorit është në vazhdim e sipër, duke përfshirë edhe verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara.
Ndërsa gjyqtarë dhe prokurorë të shumtë janë shkarkuar nga një komision verifikimi për pasuri të pashpjeguara ose për lidhje me krimin e organizuar, investitorët e huaj e perceptojnë si problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.
Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme për faktin që rregullatorët përdorin legje dhe rregullore që janë të vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën, thuhet në raport.
Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, vijon raporti, ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet e rregulloreve dhe ligjeve. Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politika specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri.
Raportet për korrupsion në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme, thuhet në raportin e DASH. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave 3P janë shqetësime të vazhdueshme. Deri në fund të vitit 2018, qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata 3P.
Të drejtat e pronës, vijon raporti i DASH, mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi është vështirë marrja e titullit të qartë të pronësisë. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t’u arritur dhe jo i mjaftueshëm. Agjencia e ngarkuar me prishjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat.
Për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe për të nxitur investimet vendase, qeveria pritëse miratoi një ligj mbi investimet strategjike në vitin 2015. Ligji përcakton stimujt e investimeve dhe ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë vendas dhe të huaj, varësisht nga madhësia e investimeve dhe numri i vendeve të punës krijuar. Qeveria gjithashtu miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDA), si zona të tregtisë së lirë. Zhvillimi i TEDA-s së parë, në Spitallë të Durrësit, iu dha një konsorciumi të kompanive lokale në gusht 2017, por vetëm pasi tenderi dështoi tre herë. Zhvillimi i TEDA-s ende nuk ka filluar, pasi një nga ofertuesit e ka kundërshtuar vendimin në gjykatë.
Treguesi i Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit në 2018 e renditi Shqipërinë në vendin e 99 mes 180 vendeve, një rënie prej tetë pikë nga viti 2017. Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që Shqipëria është përmirësuar me dy vende, duke e çuar në 63, në sondazhin e Bankës Botërore “Doing Business” për vitin 2019, ajo vazhdoi të jetë dobët në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe sigurimit të energjisë elektrike.
Sistemi ligjor shqiptar nuk duket se bën diskriminim ndaj investitorëve të huaj, thuhet në raport. Traktati i Investimeve Dypalëshe SHBA-Shqipëri, i cili hyri në fuqi më 1998, siguron që investitorët e SHBA të trajtohen sipas klauzëlës së kombit më të favorizuar. Ligji për Investimet e Huaja përshkruan mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon 100 përqind pronësi të huaj në të gjithë sektorët, përveç disave sektorëve.
Në bazë të vlerësimeve të FMN-së, thuhet në raportin e DASH, Prodhimi i Brendshëm Bruto në shifra reale u rrit me 4.2 për qind në vitin 2018 dhe rritja pritet të bjerë gjatë vitit 2019 por mbetet në rreth 4 për qind për periudhën afatmesme.
Në raport thuhet se vendi mori statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian (BE) në qershor 2014 dhe që atëherë ka kërkuar të hapë negociatat e pranimit. BE-ja e ka inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë përparimin në reformat lidhur me pesë përparësitë kryesore: reformën e administratës publike, reformën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që i përkasin pakicave si dhe të drejtat e pronës./TCH
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...