Dan Hutra nesër në gjykatë, 3 akuza mbi autorin e vrasjes së 3 grave

17:42 | 3 Mars 2023
K.B

40-vjeçari Dan Hutra, i cili vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera mesditën e së mërkurës, pritet të dalë të shtunën përpara gjykatës së Tiranës për t’u përballur me 3 akuza.

Prokuroria ka ngritur akuzat e ‘vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’, ‘vrasjes me paramendim’ dhe ‘prodhimit dhe mbajtjes pa leje e të armëve’ ndaj 41-vjeçarit Dan Hutra.

Vrasësi gjakftohtë me shumë gjasë do të mbrohet nga një avokat kryesisht i siguruar nga shteti, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.

Hetime po kryen edhe nëse në masakrën e 1 marsit ku humbën jetën Etleva Kurti, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, autori të jetë ndihmuar nga persona të tjerë.

Dan Hutra me precedentë të mëparshëm penalë, rrëfeu të gjithë kronologjinë e masakrës duke shtuar se po atë ditë kishte planifikuar një vrasje tjetër në zonën e Sharrës, por që nuk e realizoi dot pasi u prangos nga policia.

Ndërkohë, nuk dihet nëse prokuroria do të kërkojë një ekspertizë të gjendjes mendore për 41-vjeçarin./euronews

Të ngjashme