Dalin detaje të reja nga vdekja e 4 turistëve rusë në Shqipëri

00:08 | 17 Mars 2022
Trina Galanxhi

Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka publikuar detaje të reja për vdekjen e 4 turistëve rusë në një hotel në Golem të Kavajës mbrëmjen e 15 tetorit 2021.

Sipas të njëjtave burime, rezulton që rusi Sergey Vasiljeviç Burenkov, në vitin 2015 ka shërbyer si kolonel policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse ose ndryshe Komandant i Forcave OMON në zonën e Irkuyskut.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nga këqyrja e jashtme nuk u konstatuan dëmtime trupore.

Në këqyrjen e brendshme të trupit ekzaminimet histopatologjike dhe ato toksikologjike kanë konstatuar një prani të monoksidit të karbonit në gjak në nivelin 76%.

Të tjera përfundime janë: hiperemi e trurit me edemë pericelulare, edemë dhe kongjestion i mushkërive, piketime hemorragjike e cipave seroze, kist në mëlçi, ishemi akute e miokardit, stazë vazale multiorganore.

Ndryshimet e konstatuara, sipas ekspertëve janë shenjë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
OMON ku ka shërbyer Burenkov ishte një njësi speciale militare e krijuar e cila funksiononte për qëllime te veçanta dhe që shërbente si një trupë speciale brenda Gardës Kombëtare të Rusisë.

OMON më parë ka funksionuar brenda strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme Sovjetike dhe më pas ruse. Njësitë OMON ekzistojnë gjithashtu në Bjellorusi, Kazakistan, Taxhikistan dhe shtete të tjera post-sovjetike.

Në atë ngjarje humbën jetën Sergey Burenkov 60 vjeç, gruaja e tij Natalia 58 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeç dhe bashkëjetuesi i saj Nikita Belousov, 37 vjeç./lapsi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme