Google ADS

Dako shpallet person non-grata, Palmer: Besojmë që vendimi do kontribuojë në luftimin e korrupsionit publik

22:42 | 1 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer ka deklaruar për ‘Zërin e Amerikës’ se Uashingtoni ka “dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako”, kryebashkiak ende në detyrë i Durrësit.

Palmer ka theksuar se beson se vendimi i marrë nga SHBA “mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri”.

“Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Ky është një autoritet që ne e kemi. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”, është shprehur Palmer.

I pyetur se çfarë tregon ky vendim për Edi Ramën, Palmer thotë se nuk e sheh si një çështje që lidhet me qeverisjen e kryeministrit.

“Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”, thotë zyrtari amerikan./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme