Google ADS

“Daily Express”: Shqipëria, zbuloni disa nga brigjet më të bukura të vendit ballkanik

16:53 | 21 Qershor 2024
E.K

E fshehur pas “Perdes së Hekurt” për vite me radhë, Shqipëria mirëpriti turistët në fillim të shekullit XXI, duke i shndërruar blloqet e zymta komuniste në peizazhe urbane të gjalla të mbushura me kafene në modë, shkruan Aurora Bosotti në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Brigjet e vendit ballkanik – të cilat dikur qëndronin nën hijen e destinacioneve më të njohura – tani konsiderohen si disa nga më të bukurat e Evropës.

Fshati bregdetar i Ksamilit – në Rivierën Shqiptare – është krahasuar me Maldivet nga përdoruesit e TikTok-ut dhe blogerët e udhëtimit.

Plazhet me rërë të bardhë të Ksamilit, ujërat e qeta dhe kasollet e kashtës buzë plazhit sigurisht që i bëjnë jehonë joshjes së parajsës së famshme tropikale – të cilat ofrohen me një çmim shumë më miqësor me buxhetin.

Sektori i turizmit në rritje në Ksamil ofron një sërë opsionesh akomodimi, duke përfshirë dhoma që fillojnë nga vetëm 19 paund nata.

Përdoruesja e TikTok, “@The Travel Mum”, ishte mahnitur me destinacionin mesdhetar, duke e krahasuar vendin evropian me Maldivet – ‘shumë më të njohura dhe më të shtrenjta’.

“Kur njerëzit shohin foto të këtij vendi, ata menjëherë mendojnë për Maldivet! Por për fat për ne, është shumë më afër shtëpisë”, tha ajo.

“Shtojeni atë në listën e destinacioneve tuaja për 2024”, rekomandoi një turist tjetër.

Aktivitetet e njohura përgjatë bregdetit përfshijnë zhytje dhe not – por për ata që kërkojnë një qëndrim më të gjatë duke u relaksuar, ka shumë shelzongë të vendosura përreth bregdetit për të shijuar rrezet e diellit.

Kostoja mesatare e një birre në Shqipëri është vetëm 1,78 paund, ndërsa sezoni veror priret të jetë i këndshëm dhe i ngrohtë, me temperatura mesatare deri në 25°C.

Në Ksamil do të keni gjithashtu të gjithë Rivierën Shqiptare “në pragun tuaj”, një zonë e bukur, relativisht ende e paprekur nga turizmi ndërkombëtar, e cila krenohet me vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qytetet magjepsëse dhe vendasit miqësorë.

Pikat kryesore turistike përfshijnë Lagunën e Kripës në liqenin e Butrintit, Shpellën enigmatike të Kreshmoit dhe qytetin antik bizantin të Gjirokastrës.

Një qytet historik i vendosur mes maleve, kryeqyteti, Tirana ia vlen të vizitohet për ata që duan të shijojnë pushime në qytet, me ndërthurjen e tij të gjallë – të së vjetrës dhe modernes – i jep një hyrje të shkëlqyer Shqipërisë përpara se të zbulosh pjesën tjetër të vendit./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme