Çmimet në Shqipëri janë rritur frikshëm

07:19 | 17 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Në 6 muajt e parë të vitit 2022 në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë rritur 15-30 për qind dhe karburantet 25 për qind.

Kryeministri Edi Rama thotë se lufta në Ukrainë shkaktoi rritje enorme të çmimeve. Qeveria ndërkaq paralajmëroi krizë energjetike që në vjeshtë 2021, një faktor i rëndësishëm për çmimet. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka marrë një vendim me kosto shumë të lartë.

“Ky vendim është që fatura e energjisë, e cila sot në tregun ndërkombëtar po i afrohet 500 eurove, 500 eurove për megavat, nga 50-60 që ishte përpara luftës, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe të biznesit të vogël”-tha kryeministri.

Mirëpo deputetja opozitare demokrate Jorida Tabaku vëren paaftësi qeverisëse: “Çmimet e produkteve bazike fruta, perime janë rritur nga dyqind lekë deri në pothuajse njëmijë lek për kilogramë.

Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të karburantit nga 170 lek në 260 lek për litër ku 60 për qind janë vetëm taksa, 1/3 është TVSH, si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike deri në 18 lek për kilovat/orë, por edhe i mungesës totale të subvencioneve, të mbështetjes së fshatit, të mbështetjes së fermerit”.

Rritja e çmimeve është shqetësim madhor si dhe formalizimi i tregut, siç thotë Zak Topuzi, kryetar i shoqatës Hoteleri-Turizëm: “Gati 7800 subjekte operojnë në motorrët e shitjes dhe ndërkohë informacionet nga tatimet janë për 4 mijë subjekte që operojnë në mënyrë të ligjshme. Pra gati 50 për qind janë në mënyrë të paligjshme. Kjo bën që çmimet të jenë jokonkurruese”. Turizmi dhe transporti zënë 22 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme