Hovi rritës i çmimeve të banesave në Shqipëri u frenua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, pavarësisht qëndrueshmërisë së kërkesës dhe rritjes së kostove të ndërtimit, agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme kanë raportuar çmime shitjeje më të ulëta ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm.
Sipas indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 ka rezultuar në rritje me 16.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1 për qind në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit, raporton Monitor.
Në veçanti për Tiranën, indeksi i çmimeve ruajti ritmet e rritjes vjetore, me 13.9 për qind, por me bazë gjashtëmujore pësoi edhe një rënie më të thellë, me 11.4 për qind më pak.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri sugjeron se rritja e çmimeve mund të ketë hyrë në një fazë normalizimi, pas një rritjeje prej 28.4 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit (kundrejt gjashtëmujorit paraardhës).
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thekson se çmimet e vlerësuara në gjashtëmujorin e parë 2022 ishin diktuar ndjeshëm nga numri i lartë i raportimeve për shitje në zona me çmime relativisht më të larta, ndërkohë që për gjysmën e dytë të vitit shpërndarja e shitjeve sipas zonave, llojit dhe vlerës së banesave është disi më heterogjene.
Vërehet gjithashtu se në gjashtëmujorin e dytë, është rritur pesha e transaksioneve ku çmimi i blerjes së pronës për shitjet e kryera ishte më i ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi.
Pavarësisht frenimit të çmimeve, vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte më pozitiv në krahasim me periudhën e kaluar.
Numri i banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka qëndruar thuajse i pandryshuar në krahasim me periudhën paraardhëse, ndërsa numri i pronave të pa shitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 10 muaj nga 10.8 muaj gjashtë muaj më parë, si pasojë e rënies së ndjeshme në kohën e shitjes së banesave në zonat e tjera.
Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.7 muajsh, dhe kjo vlerë ishte rreth 1 muaj më shumë nga një gjashtëmujor më parë. Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 6 në 7.3 muaj. Koha e shitjes së pronave në zonat e tjera është raportuar dukshëm më e ulët, nga 13.1 në 9.6 muaj.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, më shumë se gjysma (56 për qind) e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 80 për qind të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 për qind të vlerës.
Megjithëse shifrat për çmimet e qirasë, nuk janë detajuar, sipas agjentëve ato kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të parë 2022. Informacioni mbi kërkesën dhe çmimet e qerasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit.
Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive, pavarësisht pasigurive të lidhura me situatën. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më afatgjatë deri në dy vjet.
Numri i pronave që pritet të regjistrohen për shitje gjatë periudhës në vazhdim, pritet të mos ketë luhatje të qenësishme, duke qenë se përgjigjet e agjentëve tregojnë një rezultat të balancuar. Nga ana tjetër, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare. /Telegrafi/
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten
“M’ke shajtë me rob”, vazhdon përplasja mes Sarës dhe Xuxit
Eltoni rrëfen mes lotësh për takimin me Parashqevinë: Është ...
Bedri Hamza: Me Fondin e Papunësisë dhe Gjykatën e Punës për...
Atentat me armë zjarri në Vlorë -Plagosen 2 persona, njëri p...
Zelensky takon liderët e BE-së në Bruksel, para kthimit të T...