Google ADS

Çlirohen nga privati hapësirat publike në plazhet e Durrësit, Nasto: Kushte më të mira për pushuesit

15:50 | 13 Korrik 2019
Arbresh.info

Taskforca e ngritur në Prefekturën e Durrësit po vijon inspektimin e të gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e kushteve të plazheve, që po frekuentohen gjithnjë e më shumë nga pushuesit vendas e të huaj.

Aksioni i nisur ditët e fundit po përqendrohet nga Ura e Dajlanit dhe do të shtrihet deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili është pjesë e bashkisë Kavajë.

Prej disa ditësh, ATSH po ndjek nga afër situatën në vijën bregdetare të Durrësit ku vihet re mungesa e hapësirave publike, ndryshe nga çfarë e parashikon ligji që detyron ndarjen e plazheve, 80% stacione private dhe 20% publike.

Qytetarët kanë shprehur hapur irritimin e tyre për mungesën e hapësirave për plazh publik. Ata kërkojnë shtimin e hapësirave për vendosjen e çadrave, ku mund të shijojnë të qetë ditët e tyre të pushimit.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto, tha për ATSH-në se “taskforca vendore e ngritur pranë Prefekturës me përfaqësues nga të gjithë institucionet ndërmori një aksion kryesisht në zbatim të VKM 171 të urdhrit të Kryeministrit për sigurinë në plazhe”.

Nasto deklaron se gjatë këtij aksioni, janë hapur 10 plazhe publike në zonën bregdetare të Durrësit.

“Ndërmorëm aksionin vetëm për hapjen e plazheve publike”, shprehet Nasto duke shtuar se ky aksion do të vijojë deri në çlirimin e hapësirave publike për pushuesit.

“Por në të njëjtën kohë po vëzhgojmë në mënyrë të veçantë edhe sigurinë në plazhe”, – u shpreh Nasto.

Prefekti Nasto i bëri thirrje të gjithë bizneseve që kanë marrë stacione plazhi të pajisen me kulla vrojtimi.

“Këtu afër kemi një kullë vrojtimi me një vrojtues dhe mendojmë që të gjithë hotelet e mëdha, të gjitha bizneset që kanë marrë në plazh, stacione plazhi dhe në mënyrë të veçantë stacionet që janë me mjete motorike lundruese do të inspektohen në mënyrë të veçantë për të zbatuar dhe vënë në jetë gjithë ligjshmërinë që ka VKM 321 dhe VKM 171”, – tha Nasto.

Ndërkaq, Taskforca e Turizmit, e ngritur me urdhër të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka nisur punën në terren më datë 24 qershor dhe do të vijojë deri më datë 20 korrik, për të verifikuar kushtet e ligjshmërisë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe bregliqenore, në vend, nga veriu në jug, për sezon turistik më të mirë dhe më të sigurt se paraardhësi.

Kjo taskforcë do ushtrojë kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e distancës nga bregu në vendosjen e çadrave, zbatimin e raportit të hapësirave plazh publik e privat sipas hartës së miratuar nga bashkia, zbatimin e kushteve higjieno-sanitare, moslejimin në plazhe të shitësve ambulantë si dhe kontrollin mbi gjenerimin e zhurmave dhe vendbazimet e mjeteve sportive ujore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme