Çështja “Tahiri”, zgjatet afati i hetimeve

19:29 | 22 Janar 2018
Arbresh.info

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur afatin për veprime të mëtejshme hetimore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Shpresa e hetimeve per dosjet Tahiri ngelet Italia. Pas dhjetëra veprimeve hetimore Prokurorët e Krimeve të Rënda i kanë përcjellë një letër-porosi autoriteteve italiane, përmes të cilës i kërkojnë ndihmë nëse kanë apo jo materiale shtesë për dosjen Habilaj-Tahiri.

Ndonëse Prokuroria e Catanias e ka përcjellë fashikullin hetimor që në muajin tetor, prokurorëve shqiptarë nuk u ka mjaftuar ky material për të patur konkluzione të qarta për ish-ministrin e Brendshëm, por edhe per persona të tjerë që ndodhen nën hetim, raporton Top Channel.

Pas dërgimit të letër-porosisë Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë shtyrë edhe për tre muaj të tjerë afatin e hetimeve aq më tepër që afati prej tre muajsh i përfundoi që datën 18 janar. Nuk dihet ende nëse avokatet e Saimir Tahirit, por nga ana tjetër edhe të Nezar Seitit do të ankohen në Gjykate për zgjatjen e afateve ashtu siç është vepruar më herët në mjaft dosje të rëndësishme gjyqësore.

Ndërkohë gjatë ditës, gjatë një takimi, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka deklaruar se mbështet Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çdo çështje e në çdo nivel kundër krimit dhe korrupsionit.

Zyra e shtypit njofton se zonja Marku i dha mbështetjen kreut të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe i kërkoi të vazhdojë pa hezitim punën dhe hetimet e filluara. Në fakt kryeprokurori i Krimeve të Rënda përveçse drejton këtë Prokurori është gjithashtu edhe njëri nga prokurorët e dosjes Tahiri-Habilaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme